
Tre persona të akuzuar si përkrahës të të shumëkërkuarit Talo Çela dhe të përfshirë në ngjarje të rënda janë arrestuar në Dubai.
Nga bashkëpunimi mes palës shqiptare dhe agjencive ligjzbatuese në Emiratet e Bashkuara Arabe, u finalizuan në Dubai, tre faza të tjera të operacionit “The Wanted” duke çuar në arrestimin e:
-Ervis Daka, 38 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:
-ka informuar shtetasit që kanë tentuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij;
-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S.;
-ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar Talo Çela.
-Maksim Koçi, 39 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:
-ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A.;
-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S.;
-ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar Talo Çela, për t’u fshehur;
-Aldo Xhika, 40 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:
-për rreth dy vjet, ka ndihmuar shtetasin Talo Çela, duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë;
-ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit Talo Çela.



