
Vrasja e një 18-vjeçareje në Ferizaj nga bashkëshorti i saj ka rihapur debatin në Kosovë jo vetëm për masat që duhen marrë kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave, por edhe për nevojën e një reforme të thellë në sistemin e drejtësisë.
Dardan Krivaqa, 29-vjeç, i cili kishte dy muaj i martuar me Marigona Osmanin dhe që dyshohet si autor i vrasjes së saj, ka patur edhe më parë probleme me drejtësinë.
Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari ka bërë me dije se ndaj Krivaqës ka patur që në vitin 2013-të një aktakuzë për tentativë për vrasje, por çështja ishte mbajtur varur në gjykatë.
Policia tha se vajza ishte keqtrajtuar deri në vdekje, por prokurori Jashari theksoi se për shkakun përfundimtar do të priten rezultatet e autopsisë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kërkoi nga Këshilli Gjyqësor të marrë masa disiplinore ndaj gjyqtarit që ka shtyrë procesin ndaj 29-vjeçarit të akuzuar, ndërsa procesin e vettingut në drejtësi e konsideroi domosdoshmëri.
Për vrasjen e 18-vjeçares është arrestuar 32-vjeçari Arbër Sejdiu, i cili së bashku me Dardan Krivaqën e lanë vajzën pa shenja jete në dyert e spitalit të Ferizajt. Autori kryesor ndodhet ende në arrati.
Ndërkaq, vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë janë denoncuar shtatë raste të dhunës në familje, ndërkohë që opozita dhe shoqëria civile kërkojnë nga qeveria hartimin e masave shtesë për të mbrojtur viktimat e dhunës dhe aksionet të mos përqendrohen vetëm në deklarata.



