Austria del nga pakti i OKB-së për emigrantët. Në këtë mënyrë, Vjena bëhet e treta pas SHBA-ve dhe Hungarisë, të cilat e kanë lënë këtë marrëveshje të firmosur nga 190 vende. Lajmin për tërheqjen e Austrisë e bëri të ditur kancelari Sebastan Kurz, i cili është shprehur se kjo marrëveshje kufizon sovranitetin e vendit. Në këtë mënyrë, nuk do të ketë asnjë përfaqësues të Vjenës në konferencën e OKB-së në Marrakech, Marok, më 10 dhe 11 dhjetor.
Çfarë parashikon marrëveshja
Pakti për emigracionin është firmosur nga 193 vende në shtator 2017 dhe do të hyjë në fuqi në dhjetor me firmën e samitit të Marrakech-it. Ajo parashikon mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve dhe emigrantëve, pavarësisht nga statusi i tyre dhe lufton trafikun e qenieve njerëzore dhe ksenofobinë. Marrëveshja i detyron firmëtarët të punojnë për t’i dhënë fund praktikës së mbajtjes së fëmijëve me qëllim përcaktimin e statusit të tyre si emigrantë, kufizon në maksimum mbajtjen e emigrantëve dhe synon përmirësimin e asistencës humanitare dhe zhvillimin e vendeve më të prekura.
Arsyetimi i Vjenës
Në një dokument me 34 faqe, Austria hedh poshtë të gjithë kriteret e përcaktuara në Deklaratën e Nju-Jorkut. Kurz, i cili ka qenë ministër i Jashtëm dhe debutimin e parë botëror e ka bërë pikërisht në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i jep fund kështu marrëveshjes, i shtyrë edhe nga aleati i tij në qeverisje, Heinz-Christian Strache, i Fpö-së, i cili ka deklaruar se “emigrimi nuk është dhe nuk mund të jetë një e drejtë thelbësore e njeriut.
Qeveria e Vienës, në mënyrë të veçantë, shpjegon se "pakti kufizon sovranitetin kombëtar, sepse nuk bën dallimin midis migrimit ekonomik dhe kërkimit të mbrojtjes humanitare", midis migrimit të paligjshëm dhe atij ligjor. "Nuk mundet që dikush të marrë statusin e refugjatit për shkak të varfërisë apo klimës", ka thënë Kurz.



