
Në fillim të shekullit XX, babai i psikanalizës, Sigmund Freud analizoi fenomenin psikologjik të "detyrimit të përsëritjes", dëshira patologjike për të përsëritur një model të sjelljes pa pushim. Ai pa dyshim do ta kishte diagnostikuar piktorin Edvard Munch me një pikëllim të tillë. Siç demonstron ekspozita e re e Muzeut Britanik për punën e tij, Munch i është rikthyer në mënyrë obsesive ndaj disa motiveve vizuale: perëndimeve të çuditshme, fytyra si zombi, trupave seksualisht sfidues të femrave.
Freud mund të ketë analizuar biografinë e Munch për të kërkuar në të rrënjët e ankthit të tij mendor. Ka shumë gjëra që lidhen. Nëna e tij vdiq nga tuberkulozi në 1868, kur ai ishte pesë vjeç. Nëntë vjet më vonë, motra e tij vdiq nga e njëjta sëmundje. Në kohën e industrializimit të shpejtë dhe varfërisë urbane, tuberkulozi ishte tragjikisht i zakonshëm. Munch në atë kohë pa të atin, mjek, teksa përpiqej dëshpërimisht t’u shpëtonte jetën pacientëve, shpesh duke përfunduar te lutja, kur çdo gjë tjetër kishte dështuar. Kjo, dhe kufizimet luterane të adoleshencës së Munch në Kristianën konservatore (sot Oslo), e thelluan akoma më shumë traumën e Munch. Kur arriti në moshën madhore, ai kërkonte njëfarë arratisjeje dhe arriti ta bënte këtë duke hyrë në një grup artistësh bohemë dhe shkrimtarësh radikalë, përfshirë Henrik Ibsen dhe August Strindberg. Shumë shpejt, ai zhvilloi një stil vizual që hodhi poshtë traditat skandinave të portretit formal dhe peizazheve madhështore, duke përfunduar te një tjetër lloj pikture.
Piktura nga natyra e saj është një proces përsëritës. Ka gjithashtu diçka pothuajse të dhunshme në punët e tij. Ndoshta paraqitja e imazheve të errëta ishte një proces që i dha atij mundësi të shprehë mendimet më të thella. Shumë artistë simbolistë të fundshekullit të kaluar u përqendruan te përshkrimi i emocioneve, por pak e bënin këtë me bindje dhe me vetëdije si Munch, i cili ishte i hipnotizuar nga shkenca e re e psikologjisë dhe i përhumbur për shkak të kolapsit mendor. Pikturat e ekspozitës në fjalë flasin për një mjeshtër shumë novator, por edhe për një qenie njerëzore thellësisht të trazuar.
"Autoportet " (1895)
Në këtë pikturë, Munch e paraqet veten të përkulur rastësisht para kornizës, ndërsa fytyra e tij e zbehtë shfaqet në mes të saj, shoqëruar nga sfondi i zi. Parakrahu i tij, në fund të pikturës, nuk është gjë tjetër veçse kocka e zhveshur. Emri dhe data në krye të saj të kujtojnë gdhendjet në një varr. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një shembull i hershëm i fiksimit të përjetshëm të Munch me ikonografinë e vdekjes. Sado që e kanë origjinën në traumat e hershme të tij, këto imazhe ndajnë origjinën me kopje të ngjashme nga Rilindja Gjermane. "Kafka brenda kornizës ornamentale" (1510) nga Hans Wechtlin është një vepër e ngjashme.

“Kokë më kokë” (1905)
Në pamje të parë, imazhi është i hijshëm dhe i ngrohtë: dy të dashuruar të rrethuar nga një atmosferë zhurmuese e goditjeve të gdhendura. Por ndërsa sytë e gruas janë të mbyllur në rrëmbim, partneri i saj e ka kthyer kokën dhe shikon në distancë, duke ngjallur dilemën nëse besimi që ka gruaja te ai është reciprok. Munch arrinte të ngjallte tension emocional edhe duke përdorur një imazh të tillë relativisht të thjeshtë.

"Vampire II" (1896)
Kjo vepër është po aq e dykuptimshme, por në një shkallë akoma më të lartë. Një nga 12 versionet e një imazhi që Munch e ka kopjuar dhe ripunuar në mënyrë obsesive, paraqet “thjesht një grua që puth një burrë në qafë" - ose kështu pretendonte ai. Miku i Munch, Stanislaw Przybyszewski, romancier, dramaturg dhe satanist, menjëherë tha se vepra paraqiste "një njeri që është nënshtruar dhe në qafën e tij është një vampir që kafshon”. Ashtu si një iluzion i paqartë optik, ky moment është mes intimitetit dhe dhunës. Flokët e derdhur të gruas të krijojnë idenë e një momenti të ngrohtë reciprok, dhe pastaj, edhe rrjedhjen e gjakut. Gratë e paraqitura në veprat e Munch-it, janë kryesisht ose objekte seksuale që kërcënojnë me me dhunë ose fundi i ndonjë shakaje të deformuar.

"Madonna" (1895/1902)
Imazh është dëshmi e mëtejshme e qëndrimit shqetësues që Munch kishte ndaj grave. Vetë ai ka shkruar se vepra paraqet "një grua në gjendjen e dorëzimit, ku ajo fiton bukurinë e pikëlluar të një Madone". Personazhi ka hijen e një aureole të kuqe, por është tërësisht pasive, me sytë e mbyllur si në gjendje ekstaze, me krahët dhe kokën të kthyer mbrapa. Imazhi i saj, në mënyrë groteske, rrethohet nga spermatozoidë me bishtat e tyre të gjatë, “udhëtimi” i të cilëve përfundon te një fetus me alien me sy të bardhë. Marrëdhëniet seksuale të vetë Munch-it ishin të ndryshme, por të shkurtra dhe të turbullta për shkak të frikës që ai kishte ndaj fuqisë femërore.

"Britma" (1895)
Piktura origjinale "Scream", e cila u shfaq fillimisht në 1893, mbetet në Muzeun Kombëtar në Oslo. Kjo ekspozitë përmban një variant litografik të vitit 1895, në të cilin retë e zymta, në të kuqe gjaku të origjinalit janë shndërruar në linja barometrike bardh e zi. Ajo çfarë humbet në versionin me intensitet ngjyrash, shfaqet në boshllëkun e panikut të tij. Në versionin bardh e zi, personazhi pothuajse bashkohet me sfondin, duke nënkuptuar një humbje të tmerrshme të vetvetes. Imazhi i frikshëm, me duart në kokë, thuhet në përshkrimin e eskpozitës, mund të jetë marrë nga mumja gjysmë e prishur peruane, e cila është ekspozuar në Muzeun Etnologjik në Paris.

"Revista 1843" /përgatiti Gazmira Sokoli/



