Buka është një nga artikujt bazë të tavolinës shqiptare. Me rritjen e çmimit të miellit pas pandemisë dhe nisjes së luftës Rusi-Ukrainë, u rrit edhe çmimi i bukës.
Në një inspektim të realizuar gjatë vitit 2021 kryeministri Rama i kërkoi prodhuesve të bukës të mbajnë të afishuar çmimin dhe gramaturën e bukës, duke mos lënë vend për abuzim.
“Xhadat” vëzhguam disa furra buke në kryeqytet dhe Kamëz dhe në asnjë prej tyre nuk gjetën listën e çmimit të bukës dhe peshës.
Shitëset thonë se peshën nuk e dinë as vetë, ato kanë vetëm të dhënat për çmimet. Kur gazetarët tentojnë të pyesin për peshën pronarët e furrave menjëherë del në pah arroganca e tyre.
“Po deshe merre, po deshe lëre, me peshë nuk e kemi”- tha një prej tyre.
Për të vërtetuar abuzimin që ndodh me peshën e bukës, gazetarja e “Xhadat” bleu tri bukë masive, në tre furra të ndryshme në Tiranë me çmimin 100 lekë secila.
Pastaj i peshoi në të njëjtën peshore.
Njëra prej tyre rezultoi të ishte 580 gramë, e dyta 590 dhe tjetra 680 gramë.
Ky fakt tregon hapur vjedhjen që i bëhet çdo familjeje shqiptare në mes të ditës.
I pyetur se pse nuk po e ndalon këtë vjedhje Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, nuk pranon të përgjigjet.
Ai nxitoi të largohej me makinë duke i kërkuar gazetares të merrte përgjigje me shkrim. Në përgjigjen me shkrim, institucioni deklaron se gjatë vitit 2022 ka vendosur 9 masa administrative me gjobë për furrat e bukës për moszbatimin e ligjit për “Mbrojtjen e Konsumatorit”.
Pyetja që lind në këtë rast është si ka mundësi që janë marrë 9 masa me gjobë, kur vetëm në një ditë “Xhadat” kanë konstatuar shumë më tepër biznese që abuzojnë me çmimin dhe peshën e bukës.



