Kompetencat e ministrit të Drejtësisë kanë përplasur dje deputetët e PSsë me ministrin e ri të Drejtësisë, Petrit Vasili, në Komisionin e Ligjeve, raporton “Panorama”.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit të ri për kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë, Petrit Vasili ka kërkuar që këtij institucioni t’i jepet akses në qendrën e informacionit që do të krijojë Këshilli i Lartë i Gjyqësorit. Por për deputeten e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, ministri i Drejtësisë nuk duhet të ketë akses në këto të dhëna për gjyqtarët, pasi këtë të drejtë e ka vetëm Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, palët shkëmbyen replika të ashpra për kompetencat ligjore që duhet të ketë ministri i Drejtësisë. Petrit Vasili ka kërkuar nga kolegët e tyre të mos bëjnë ligje, duke menduar për emra ministrash. Ai ka thënë se roli i ministrit duhet të përcaktohet në ligj, pasi Ministria e Drejtësisë është porta ku ankohen qytetarët. Vasili ka thënë se deputetët kanë qenë në një mendim për rolin kontrollues që duhet të kishte Ministria e Drejtësisë, por këtë gjë ua kishin ndaluar ndërkombëtarët. “Ia kemi vënë kufirin te thana Ministrisë së Drejtësisë, tani hajde ta bëjmë funksional se me idenë dhe paragjykimin se atëherë na thanë larglarg, nuk është se përfituam ndonjë gjë të madhe. Unë jam sot këtu, zoti Xhafaj ka qenë deri dje dhe e di që dera e madhe ku përplasen qytetarët është Ministria e Drejtësisë”, tha dje Vasili. Socialistët Majko dhe Xhafaj kanë tentuar të zbusin debatin, duke thënë se duhen diskutuar kompetencat, por pa pasur fërkime me Kushtetutën.
Tonet e nervozizmit vijuan mes Xhafajt dhe deputetes së LSIsë, Silva Caka, për mungesën e dokumentacionit. Socialisti i tha deputetes se dokumentet nuk do t’ia dërgonte në shtëpi dhe se duhet të paraqitej në orar si gjithë të tjerët.
DEBATI NË KOMISION
Vasilika Hysi: Diskutimi që bënë dje përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë është që ministri të ketë akses të plotë në atë qendrën e informacionit që do të krijojë Këshilli i Lartë i Gjyqësorit. Kjo është një pikë shumë e diskutueshme gjatë hartimit të 7 projektligjeve, e kemi diskutuar dhe në Komisionin e Reformës dhe për të cilin ka pasur diskutime që as Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk mund të ketë askes.
Petrit Vasili: Nuk është kështu, siç e thua…
Vasilika Hysi: Të paktën nga bisedat që kemi bërë, nga bisedat 4 orë paradite… Këtu besoj është dhe Bledari (këshilltari), mund ta konfirmoni… Pika tre është frika e dublimit të punës të rolit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që është institucion kushtetues me ministrin e Drejtësisë. Ju sugjeroni që të shtohet dhe roli kontrollues i ministrit të Drejtësisë për disa profesione. Po, por avokatët nuk mund t’i kontrollojë ministri i Drejtësisë.
Petrit Vasili: Lidhur me sistemin elektronik, nuk ka përcaktim të qartë në ligjet e tjera, aksesi duhet përcaktuar këtu në këtë ligj, i lënë në mënyrë evazive nuk e ndihmon procesin. Dhe kjo që themi ne nuk është një pretendim që ne jemi shumë maniakal, që të na respektohet fjala që themi, por praktikisht është një gjë që e pengon Ministrinë e Drejtësisë sot dhe përmot. Sa herë që flitet për Ministrinë e Drejtësisë, abstragoni ministrin që është sot dhe mendoni se ç’është Ministria e Drejtësisë në të ardhmen. Kjo është ajo për të cilën ne po flasim. Aksesi te të dhënat elektronike ka të bëjë vetëm për këtë dhe me asgjë tjetër. Nuk është qartësuar, kjo duhet qartësuar. Mos kini besim kaq të madh. Ka shumë papërcaktueshmëri që do ta bëjnë goxha më të vështirë dhe funksionimin e tanishëm. Të gjitha sugjerimet që kemi bërë ne janë qartësim. Ia kemi vënë kufirin te thana Ministrisë së Drejtësisë, tani hajde ta bëjmë funksional se me idenë dhe paragjykimin se atëherë na thanë larglarg, nuk është se përfituam ndonjë gjë të madhe. Por në këtë moment kemi mundësi ta ridimensionojmë dhe ta bëjmë instrument pune. Unë jam sot këtu, zoti Xhafaj ka qenë deri dje dhe e di që dera e madhe ku përplasen qytetarët është Ministria e Drejtësisë. Fatmir
Xhafaj: Nuk është çështje replike, është çështje pikëpamjesh, çështje konceptesh.
Pandeli Majko: Ministrin e Drejtësisë e kemi dhe të shtëpisë, koleg dhe anëtar të Komisionit të Ligjeve dhe mendoj.. Fatmir Xhafaj: E ruan statusin… Pandeli Majko: Besoj se dialogë të tillë, ju në mëngjes dhe ne në darkë mund t’i shmangim. Mendoj se duhet të jemi pak tolerantë. Jo në sensin që po lëshojmë ne dhe po i japim më shumë si dhuratë Ministrisë së Drejtësisë, por kam një shqetësim, zoti kryetar, dhe dua ta ndaj me ministrin dhe me drejtorin. Në disa pika bashkohem me relatoren, por ne po krijojmë disa institucione të reja dhe mua nuk më shqetëson, në qoftë se nuk është antikushtetues fakti që do kemi kontroll të dyfishtë, pra edhe nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, edhe nga Ministria e Drejtësisë. Po krijohen disa institucione të reja dhe largimi apo spostimi i Ministrisë së Drejtësisë nga disa detyra bazë ne do të na krijojë një boshllëk, qoftë me kontrollin, apo për situatat e natyrave administrative. Prandaj mua kontrolli i dyfishte, marrëdhënia me Inspektorin e Drejtësisë, nuk më shqetëson, qoftë dhe si periudhë tranzitore. Boll që mos të kemi fërkime me ndryshimet kushtetuese. Ta shikojmë si do të funksionojë sistemi në vazhdim. Kam përshtypjen se nervozizmi, nëse do të flisja kështu, i kolegut dhe më pas i ministrit të Drejtësisë ka të bëjë pikërisht me këtë. Pra, mos harrojmë që kemi të bëjmë me një koleg që ka qenë pjesë e diskutimeve të Reformës në Drejtësi bashkë me ne. Gjithsesi, zoti ministër, disa shqetësime që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë, me zonjën Vasilika duhen parë me shumë vëmendje…
Petrit Vasili: Ju e dini që nervozizmi nuk është kualitet i imi, por kjo është personale, nuk ka vlerë për komisionin. Së pari, në asnjë rast, në asnjë nga komentet, nuk bëhet fjalë për kontroll të dyfishtë. As në periudhën tranzitore, as në periudhën në vazhdimësi. Nëse ju jeni të qetë që do të kemi një batërdi ankesash të pafiltrura që nuk do të marrin zgjidhje, por që do ripërsërisin ato sëmundje që u përball sistemi i drejtësisë ineficient dhe të një qytetari që nuk do të gjejë kurrë të drejtën e tij, unë jam i shqetësuar dhe nuk jam kaq i qetë. Dhe ajo që propozojmë nuk është të marrë ministri i Drejtësisë as role dhe as funksione, por një instrument efektiv në funksion të sistemit. Se ç’është Ministria e Drejtësisë sot me të djeshmen dhe se ç’është sot me sistemin e drejtësisë, kjo është fare e qartë. Është një Ministri e Drejtësisë e re, nuk është saktësisht ajo që duam, për të qenë të ndershëm. Kemi qenë dhe me një mendje në Komisionin e Reformës në Drejtësi, sepse nuk është Ministria e Drejtësisë që duam, por kemi qenë të shtrënguar, sepse ndërkombëtarët na kanë thënë kështu. Ky është një ofrim i një kualiteti të ri në trajtimin e ankesave të qytetarit dhe nuk është asnjë rast kontroll i dyfishtë, se kontrolli, atributi, vendimmarrja janë në duart e Inspektorit, i cili vlerëson kështu apo ashtu, siç do ta mendojë ai në raport me Kushtetutën. Pra këtu s’kemi të bëjmë fare me ndonjë atak kushtetues, në asnjë rast. Edhe trajtimi si i tillë është… pikapika, po s’do bëj një koment të tillë. Lidhur me dispozitat kalimtare, nuk i di këto opinionet që ka dhënë EURALIUS-i që në mëngjes, do t’i shikoj edhe ato. Ka dhe opinione të EURALIUSit që mund të diskutohen, nuk besoj se kemi ndonjë tabu e ka thënë apo s’e ka thënë EURALIUS. Do ta diskutojmë të gjithë së bashku, që këto janë ato që i duhen sistemit.
Silva Caka: A mund ta ndërpresim pak sa të na vijë materiali?
Fatmir Xhafaj: Po merre moj, mos hajde me vonesë. Hajde në orar! Kush të dojë të shkojë ta marrë, nuk do të prodhojmë ne letër kot. Ne dokumentet nuk do t’i sjellim në shtëpi.
Silva Caka: Nuk ka nevojë në shtëpi, por të jenë të tavolinë.
Fatmir Xhafaj: Në tavolinë nuk prodhojmë letër kot që të rrijë pastaj kur nuk vini ju. Kush do e merr aty merr dosjen e vet, siç merr postën.
Silva Caka: Edhe kolegët që kanë ardhur para meje nuk e kanë. Shoh që edhe Anila po ankohet.
Anila Agalliu: Kush po të ankohet ty?
Silva Caka: Jo moj, ç’të më ankohesh mua…/ PANORAMA /



