Duke iu referuar pandemive përgjatë historisë, ekspertët e shëndetit publik e kanë ngritur prej kohësh shqetësimin e një vale të tretë të Covid-19. Në një intervistë me studion e lajmeve në TvT, mjeku Albert Troci tha se vala e tretë është e pritshme në muajt shkurt-mars-prill. Duke qenë se historia e epidemive ka treguar se vala e tretë është më e rënda, atëherë, sipas Trocit, arma te e cila duhet të mbajmë shpresë është vaksina.
“Duke pasur parasysh epidemitë e kaluara, vala e tretë ka qenë më e fortë se vala e parë. Ne kemi ende masa për të marrë dhe arma që kemi është vaksinimi. Nëse ne arrijmë brenda verës të kemi një mbrojtje të lartë, atëherë ne mund të shmangim valën e tretë. Vala e tretë është shkurt-mars-prill dhe numri i vaksinave në atë kohë nuk do të jetë i lartë”, tha ai.
Duke u ndalur te varianti britanik i Covid-19, Troci tha se mbetet për t’u parë se çfarë efekti mund të ketë në popullatën në tërësi.
“Kapacitet 50-70 % më shumë për transmetim. Virusi ka kapacitet më të lartë për të infektuar fëmijët dhe kjo duhet verifikuar. Nuk ka ende të dhëna që tregojnë se rritet letaliteti i virusit. Duhet të studiojmë nëse është më agresiv në një grupmoshë të caktuar apo jo. Fëmijët kanë qenë më pak të prekur. Duhet parë nëse me këtë variant të ri mund të riinfektohen ata që ishin të infektuar njëherë”, tha ai.



