Një zyrtar i lartë i Hamasit ka ndarë me BBC një listë me 34 pengje që grupi palestinez thotë se është i gatshëm t’i lirojë në fazën e parë të një marrëveshjeje të mundshme armëpushimi me Izraelin. Megjithatë është e paqartë se sa pengje mbeten gjallë.
Në mesin e të listuarve janë 10 gra dhe 11 pengje meshkuj më të vjetër, të moshës 50 deri në 85 vjeç, si dhe fëmijë të vegjël për të cilët Hamasi kishte deklaruar se ishin vrarë në një sulm ajror izraelit.

Në listë janë të përfshirë edhe një numër pengjesh që Hamasi thotë se janë të sëmurë.
Por zyra e kryeministrit izraelit mohoi raportet se Hamasi i kishte ofruar Izraelit një listë pengjesh.
Negociatat e armëpushimit rifilluan në Doha, Katar, gjatë fundjavës, por bisedimet nuk duket se kanë bërë përparim të rëndësishëm.
Një zyrtar i Hamasit i tha agjencisë së lajmeve Reuters se çdo marrëveshje për kthimin e pengjeve izraelitë do të varej nga një marrëveshje për tërheqjen e Izraelit nga Gaza dhe një armëpushim i përhershëm ose përfundimi i luftës.
“Deri më tani, okupimi vazhdon të jetë kokëfortë për një marrëveshje për çështjet e armëpushimit dhe tërheqjes dhe nuk ka bërë asnjë hap përpara”, tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.
Më herët, Hamasi postoi një video të izraelitse 19-vjeçare Liri Albag duke i kërkuar qeverisë së saj të bëjë një marrëveshje.
Ajo u kap së bashku me gjashtë ushtarë të tjera të rekrutuar femra në bazën ushtarake Nahal Oz në kufirin e Gazës gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
Atë ditë, militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1200 persona dhe duke marrë peng 251 të tjerë.
Ushtria izraelite tha të dielën se forcat e saj ajrore kishin sulmuar më shumë se 100 vende terroriste në të gjithë Rripin e Gazës gjatë fundjavës, duke vrarë dhjetëra militantë të Hamasit.



