Ish-gjenerali i krishterë Michel Aoun, 81 vjeçar u zgjodh sot president i Libanit pas votëbesimit në Parlamemt, duke i dhënë fund një mosfunksionimi institucional 29 mujor.
“Ai u zgjodh me 83 vota pro nga 127 deputetë të pranishëm”, bëri të ditur presidenti i Dhomës së deputetëve, Nabih Berri. 36 deputetë abstenuan duke e lënë fletën e votimit të bardhë ndërsa 8 fletë votimi u shpallën të pavlefshme.
Aoun u zgjodh në raundin e dytë pasi nuk mundi të marrë dy të tretat e votave në raundin e parë.
Ky proces i dha fund një ngërçi institucional 29 mujor, ndërsa Libani nuk kishte një figurë konkrete në postin e presidentit prej majit 2014 për shkak të mosmarrëveshjeve të thella që paralizuan sferën politike, kryesisht për shkak të konfliktit që po rrënon Sirinë fqinje.



