
Gazetari Besmir Pula tha në studion e MCN Live se një prej fëmijëve të aksidentuar dy ditë më parë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit teksa lëviznin me monopatinë ndodhet ende në rrezik për jetën.
Burime bëjnë me dije se njëri prej të miturve është në gjendje të rendë. Ka hemorragji cerebrale. Nuk mund të thonë nëse ai e ka kaluar rrezikun për shkak se trauma është në pjesën e kokës dhe dëmtimet janë në pjesë delikate. Dy fëmijët e tjerë janë në gjendje të stabilizuar kanë dëmtime në këmbë dhe duar.
Më tej, Pula tha se monopatinat jo vetëm që qarkullojnë në zonat urbane, por edhe në aksin e Unazës së Madhe.
Në rrugët e Tiranës pavarësisht aksidentit vijojnë të qarkullojnë monopatinat. Jo vetëm në zonat urbane, por edhe në Unazën e Madhe që e ka lejueshmërinë 80 km/orë.
Duke cituar burime të tij, Pula bëri me dije se nga janari deri në muajin maj në Spitalin e Traumës janë paraqitur 212 raste të personave të aksidentuar me monopatinë.
Në ditë në 24 orë paraqiten 2-4 raste të personave të aksidentuar me monopatinë. Në 2024, 694 persona janë aksidentuar me këtë mjet. Gjatë periudhës janar-maj në spital kanë shkuar 212 raste të aksidentuar nga monopatet. Pjesa më e madhe kanë dëmtime jo të mëdha.



