Ndryshon gjithçka, Kryeministri i vendit Edi Rama ka një “propozim të ri” për Partinë Demokratike në lidhje me Reformën në Drejtësi. Me anë të një statusi të shkurtër në Facebook kreu i ekzekutivit Rama shkruan: Një propozim i ri për PD: Shkruajeni vetë si të doni reformën, merrni miratimin e SHBA/BE dhe ne do ta miratojmë pa levizur asnjë presje!
Në këtë mënyrë duket se Rama po provokon të gjitha strategjitë e opozitës duke i falur opozitës “kompromisin” dhe protagonizmin e mundshëm gjatë gjithë kësaj zvarritjeje dhe modifikimi të projektit që do të revolucionojë drejtësinë në Shqipëri. Ndërsa në këmbim Rama kërkon haptazi që opozita të sigurojë miratimin e aletëve strategjikë si SHBA dhe Bashkimi Europian, sidomos tani, pasi kampi blu refuzoi hapur “draftin hibrid” të prezantuar nga Ndihmës Sekretarja Nuland gjatë vizitës në Tiranë.
Dy ditë pas kësaj vizite të Nuland ishte pikërisht kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ai që deklaroi se e refuzonte draftin për shkak se në të përfshihet roli i ekspertëve ndërkombëtarë si vendimmarrës në procesin e vetingut. Ndërkohë që më parë nga PD ishte kërkuar ekspertiza e BE dhe SHBA për një reformë asnjëanëse.



