Në studion e MCN Informacion u diskutua mbi marrëdhënien e të rinjve me besimin dhe mesazhin e Krishtlindjeve.
Miron Çako, prift i Kishës Ortodokse të Shqipërisë, tha se kisha i shikon të rinjtë si e sotmja.
Besimin e mat vetëm Perëndia. Zoti nuk na shikon ne si numra. Zoti na sheh si persona, na thërret në emër. Krishti është mishëruar në mënyrë personale për secilin prej nesh. Krishtërimi është një lëvizje rinore. Edhe Krishti ishte në moshën 30 vjeç. Të rinjtë besojnë. Po a e shprehin ata besimin? Ky është proces, është sfidë edhe besimi. Unë besoj fort që ka shumë të rinj edhe në kishën tonë ortodokse. Rinia është e sotmja, prandaj kisha i shikon të rinjtë si energji për sot. Ne do të jemi përgjegjës për mbarëvajtjen e të rinjve. Edukimi i tyre fillon te prindërit. Krishti u bë fëmijë për t’i dhënë vlerë fëmijës. Në kohën e judaizmit, fëmijët dhe gratë shiheshin si të pavlerë.
Ndërsa Linda Pano nga Koalicioni për Mbrojtjen e Familjes tha se të rinjve u mungojnë shembujt. Ajo u ndal edhe te ligji për barazinë gjinore.
Brezit të ri i mungojnë shembujt, liderët shpirtërorë. Krishtlindja ka në qendër familjen, ka në qendër jetën. Maria zgjodhi jetën. Zgjodhi të sakrifikonte për ta mbajtur premtimin e Zotit brenda trupit të saj. Njëra nga plagët e shoqërisë është aborti, ndërsa Krishtlindja flet për familjen.
Ne nuk mund ta nxirrnim veten tonë nga ajo gjendje, prandaj Perëndia zgjodhi një trup njerëzor për të dërguar te ne birin e tij.
Ligji për barazinë gjinore hyn në fuqi pikërisht sot. Hyn në fuqi një ligj që cenon familjen. Unë besoj që megjithëse ka errësirë, sa më e madhe të jetë ajo, aq më fort ndriçon drita. Mesazhi i Krishtlindjeve ka dymijë vjet që ndriçon me dritën e tij edhe në zemrat e të rinjve. ata kanë nevojë për udhëheqje dhe dritë.
Ylli Doçi, pastor, tha se besimi më shumë se kudo gjendet te grupet.
Besimi është sfiduar gjithmonë. Rinia vjen në besim sepse është në fazën e njohjes së realitetit dhe perëndia është në qendër të realitetit.
Frika ime është kjo. Nëse mbetemi duke e kërkuar informacionin në internet, rrezikojmë të mos marrim informacion të plotë. Por nëse shkon te besimtarët, atëherë e takon besimin e jetuar.
Genti Doçaj, drejtues i Lëvizjes së Krishterë IJR Student, tha se apatia dhe individualizmi janë sfidat e besimit te të rinjtë.
Mendoj që sfida më e madhe për të rinjtë është apatia në shumë nivele dhe individualizmi. Mendoj që këto lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. Në epokën e rritjes së inteligjencës artificiale ka një etje të madhe për marrëdhënie organike. Mendoj që është e rëndësishme ta mbajmë Krishtin në qendër në mesazhin e Krishtlindjes.



