
Presidenti Ilir Meta ka dalë në një konferencë për mediat sërish për krizën politike që ka mbërthyer vendin prej disa muajsh.
Presidenti Meta deklaroi se nëse Rama pranon që në 13 tetor të bëhen 3 palë zgjedhje, atëherë është gati që të dalë në fushatë, jo si president duke liruar zyrën, por këtu kishte një kusht duke propozuar një emër që të ulet në karrigen e tij.
"Situata nuk është e zakonshme dhe nuk mund të mos ndjej dhe unë përgjegjësi për këtë situatë të pazakontë . Në 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje të ligjshme. Zgjedhjet vendore kushtetuese janë 13 tetor".
Meta sërish kujtoi dhe ofertën për mbajtjen e tre palëve zgjedhje dhe i bëri sërish apel Rames të reflektojë:
“Në mendjen time ekziston vetëm një datë, 18 tetori, se e kanë vendosur të tjerë, ajo që ne kemi vendosur bashkë është që Shqipëria të bëhet si gjithë Evropa. Nuk është ashtu si ka deklaruar Hahn që 80% e shqiptarëve e përkrahin këtë, por 100% e shqiptarëve. Është edhe një ditë provimi se integrimi është cështje standardesh dhe jo dëshirash. Unë insistoj të evitoj përshkallëzimin e kësaj krize që ndërkohë vazhdon, sqaron se në 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje shtetërore. Zgjedhjet e ligjshme janë në 13 tetor. Kriza nuk është thjesht vendore, por shumë më e madhe se qytetarët më shumë ndjejnë efektet e qeverisjes vendore se ato qendrore. Është një krizë më e thellë dhe në angazhimet e mia për të ndihmuar vendin për një zgjidhje më të plotë kam theksuar se 13 tetori mund të shërbente nëse do kishte vullnet nga kryeministri në radhë të parë e maxhoranca dhe opozita e të gjithë llojeve, nga presidenti që është akuzuar nga lidershipi i maxhorancës, si faktor kontribues i kësaj krize sipas tyre që ti jepni mundësi shqiptarëve të votonin për pushtetin vendor, kuvendin që nuk mendoj se është në situatë normale, edhe për presidentin, meqë ka pretendime nga lidershipi i PS, që dihet se ka qenë mbështetësja ime kryesore për zgjedhjen time në këtë detyrë. Jemi në kushtet e thellimit të paligjshmërisë nëse nuk nis zbatimi menjëherë i dekretit të presidentit është penalizim i sigurtë 101 % për çeljen e negociatave të Shqipërisë. Kjo do të ishte goditje e madhe e prespektivës europiane. Ftoj edhe njëherë kryeministrin Rama të reflektojë dhe të mos pengojë zbatimin e dekretit të datës 13 tetor. Institucionet të mos vazhdojnë me paligjshmër. Ftoj forcat politike që duan të marrë pjesën në zgjedhje"
Ai ka thënë se është i gatshëm të dalë nga zyra dhe të dalë për të mbledhur vota ndërkohë që të votohet për zgjedhje presidenciale.
Madje propozon që në këtë detyrë të kthehet një personazh që e ka pasur më parë presidencën.
“Jam gati të lë detyrën e presidentit por me një kusht në këtë zyrë të vijë një njeri me shumë integritet, një njeri që ka qenë në këtë zyrë, si profesor Rexhep Meidani. Unë nuk e kam biseduar me njeri, por jam i sigurt se cështjet e rëndësishme do ti mbrojë më mirë se unë. Kështu që të mos bëjmë sikur nuk shohim thellimin e krizës. Marrja e bashkive në këtë mënyrë nuk është e ligjshme sepse nuk ka pasur zgjedhje të ligjshme. Dhe nuk është e ligjshme të marrësh Kavajën apo Shkodrën me 6 apo 7 përqind dhe të kesh edhe gjithë këshillin. Këtu bie sistemi i llogaridhënies në vend”, tha presidenti Ilir Meta.
Madje Meta bëri edhe një “kërcënim” publik për maxhorancën, duke përmendur median ndërkombëtare.
“Ndryshe do më detyrojnë të thërras gjithë mediat botërore, dhe të vë buqetë me lule te varri i Ramiz Alisë, sepse edhe pse ka qenë udhëheqës komunist, përsëri tregoi përgjegjëshmëri, sot e vlerësojmë më tepër pas kësaj që na shofin sytë, se i dha mundësi opozitës së kohës për të marrë pjesë në zgjedhje, edhe pse e dinte se ajo kishte qëllim përmbysjen e regjimit komunist”.



