Ditët e fundit, kryepolici Ilir Proda ka realizuar një sërë ndryshimesh në rang komisariatesh dhe në drejtuesit e qarqeve të Policisë së Shtetit.
Sidoqoftë, ende nuk janë bërë publike arsyet e këtyre ndryshimeve, pasi Proda ka kryer një valë të dytë lëvizjesh të strukturave drejtuese, me disa emërime të reja dhe rotacione mes drejtuesve të policisë.
Gazetari Besmir Pula, në një intervistë për “MCN Live”, vlerëson se këto ndryshime kanë prekur kryesisht komisariate në kryeqytet, ku janë bërë transferime mes komisariateve, pa ndryshuar ndjeshëm drejtimin e përgjithshëm të forcave të rendit.
Edhe vetë drejtuesit e komisariateve dhe ata në nivele të larta janë të surprizuar nga lëvizjet që janë bërë, pasi nuk i kanë pritur këto ndryshime.
Duke ju referuar një konkursi të fundit, ku u zgjodh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, dhe pas emërimit të tij, u zhvilluan konkurrime për 12 drejtorë të rinj të qarqeve, pavarësisht se ata ishin të sapozgjedhur dhe pa bërë asnjë analizë të drejtimit të strukturave që kishin marrë përsipër.
Një tjetër moment kyç, i ndërlidhur me lëvizjet e fundit të Policisë së Shtetit, është shkarkimi i dy drejtuesve të Policisë së Shkodrës. Pas këtij zhvillimi, pati edhe një tjetër rokadë të rëndësishme, ku disa drejtues komisariatesh në kryeqytet u transferuan në komisariate të tjera, si në Kukës, Shkodër dhe disa qytete të tjera. P.sh., Idriz Daulles është emëruar si drejtor i Komisaritatit Nr. 5, ndërsa drejtori i këtij komisariati, Besmir Cibini, kaloi në komisariatin e Kukësit. Nga ana tjetër, Bekim Lika, i cili ishte në Kukës, është emëruar shef i Komisaritatit të Policisë së Shkodrës.
Kjo lëvizje tregon një rotacion të thellë të drejtuesve në struktura të rëndësishme, si dhe një mbushje të vendeve të lira nga transferimet e shefave të komisariateve, si dhe lëvizjet brenda komisariateve të kryeqytetit.
Ndryshimet e fundit tregojnë se, në shumë raste, ka pasur transferime nga një komisariat në tjetrin, përveç disa pozita të larta si Zëvendësdrejtor dhe Shefi i Trafiqeve, ku ndryshimet janë më të kufizuara.



