Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës janë shfaqur shpresëplotë se Donald Trump do t'i japë përparësi një armëpushimi në Ukrainë dhe nuk do të negociojë për t'i dhënë territor Rusisë gjatë bisedimeve me Vladimir Putinin të premten.
Duke folur pas një takimi virtual të mërkurën, zyrtarët evropianë thanë se presidenti amerikan mori në konsideratë pikëpamjet e tyre mbi kërkesat për një marrëveshje paqeje. Vetëm për këtë, ka një ndjesi lehtësimi në Berlin, Paris, Londër dhe më gjerë, pas javësh diplomacie, qeveritë evropiane më në fund po i drejtohen administratës amerikane.
Trump synon ta bëjë armëpushimin “një nga prioritetet e tij” në bisedimet me homologun e tij rus, tha kancelari gjerman Friedrich Merz, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron tha se “çështjet territoriale që bien nën autoritetin e Ukrainës nuk mund të negociohen dhe do të negociohen vetëm nga presidenti i Ukrainës”, duke sqaruar se Trump ishte në të njëjtën linjë.
“Deri më tani, të gjitha bisedimet që janë zhvilluar me Putinin gjatë tre viteve e gjysmë të fundit janë shoqëruar me një përgjigje ushtarake edhe më të ashpër çdo herë”, tha Merz. “Këtë herë duhet të jetë ndryshe.”
Një person që kishte dijeni mbi diskutimet gjatë takimit virtual, tha për Politico se: “Në përgjithësi kishte një atmosferë pozitive”. I njëjti burim shtoi se: “Trump, si gjithmonë, foli shumë për atë që do të bënte, por në një mënyrë që askush nuk mund të thotë se çfarë do të bënte me saktësi”.



