Një vit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit përjetimet nuk janë shuar në zemrën e gjithsecilit që u zgjua nga një lëkundje që të ngjallte frikë për jetën dhe pa me sy tmerrin që përjetuan të shpëtuarit nga rrënojat. Zv. kryeministri Erion Braçe i kujton me detaje të gjitha veprimet që bëri mëngjesin e asaj dite tragjike.
Ai tregon telefonatën e parë që bëri dhe bisedat në grup me kolegët ministra për të koordinuar punën e misionit të shpëtimit. Braçe shprehet se 50 minuta pas tërmetit u gjend në Thumanë ku pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, toka kishte rënë në heshtje me shpresën për të shpëtuar jetë nga rrënojat.
“Thumanë një vit më parë, dielli do lindë përsëri! Mëngjesi im në 26 nëntor të një viti më parë ishte i tillë! Nuk kisha qenë më parë në Thumanë. Një muaj më herët për shkak se Lumi Zezë e Ishmi kishin dalë nga shtrati kishin mbuluar autostradën, për më tej kalova nga rruga e vjetër mes Thumanës por kaq.
Profesor Llambro Duni, në 4:05 më precizoi epiqendrën e tërmetit që kish nxjerrë 60% të Shqipërisë në rrugë, Durrësi, Kruja përballë e çka përreth.
Të parit i telefonova Artur Bushit, kryetarit të Krujës. Po shkonte në Thumanë, shtëpinë e tij. Pse atje- e pyeta. Më nxorën njerëzit e më thanë që ka rënë një pallat, po shkoj atje. U kërkova të nxitonte e të më thoshte sa mbërrinte.
Valbona Sako, kryetarja e Durresit ishte nën shok, edhe ajo në rrugë me familjen; I kërkova të shkonte në zyrë bashkë me ta. Roland Nasto, prefekti i Durrësit ishte në rrugë gjithashtu, po verifikonte gjendjen; i kërkova të shkonte në bashki.
Telefonatat i ndërpreu Artur Bushi, kishte mberritur në Thumanë: “Është katastrofë”-tha dhe dëgjova të ngashërente. As e vura re që po bërtisja, ma kujtoi një komshi sot në mëngjes;
Turo mos u dorëzo, më dëgjon apo jo, mos u dorëzo, po u dorëzove ti kush do i shpëtoj ata njerëz! I kërkova të mblidhte mjete për të nisur shpëtimin.
Ardi Veliu, drejtori i policisë ishte në zyrë, nuk më tregoi që godina qe bërë copash; Thjesht, më tha se FNSH e Tiranes po mbërrinte në Durrës. I kërkova njerëz për Thumanën. Kish nisur instiktivisht për poshtë FNSH e Shkodrës dhe i kërkova t’i ndalonte në Thumanë, sa më parë.
Olta ishte në zyrë dhe ushtria po bëhej gati të lëvizte. Ogerta po mbërrintë në spitalin Ushtarak, ndërkohë urgjenca po mbërrinte e shumtë në Durrës; Kërkova njerëz e ambulanca për Thumanën. Të gjithë po komunikonim me njëri tjetrin në grupin e Qeverisë. Pa e kuptuar isha ngjitur në shtëpi, isha veshur, kisha puthur të mitë dhe isha në rrugë; Unë në Durrës, ti në Thumanë-e ndau Belinda. Edi Rama që shihte tensionin në çdo fjalë, kërkonte qetësi dhe organizim, siguri dhe efikasitet në qendër të tragjedisë.
Pas 50 minutash isha në Thumanë, dielli nuk kish lindur, buzë rrugës ishin dy km me eskavatorë e mjete, ambulancat kishin hyrë më thellë, mjekë e infermierë po ashtu, djemtë e FNSH të Shkodrës ishin poshtë pallateve të rrënuar, Besnik Bami me gjithë punëtorët e tij kish nisur kërkimin në rrënoja, specialet po i ndihmonin duke gërmuar me duar dhe imponuar heshtje për të dëgjuar zëra, ushtria sapo mbërriti dhe hyri në veprim; Rrapush Tola me Jordanin, njerëzit më të specializuar në kërkim e shpëtim prej ngjarjeve në miniera morën kontrollin e kërkim shpëtimit, ministri i Brendshëm organizoi gjithçka, puna nisi të funksiononte;
Toka u trondit edhe një herë shumë fort, por dielli lindi sërish! E gjithë Thumana ishte në heshtje, heshtje; Shumë njerëz po vinin në ndihmë, sa shumë njerëz të mirë, kishin lënë shtëpitë e tyre dhe ishin aty;
I kërkova Turit të identifikonim banorët e tre pallateve, gjendja civile dhe komshinjtë të identifikonin e bënim bilancin sa njerëz kishim në rrënoja; Ishin shumë! Qetësohesha kur i dëgjoja t’i thoshin administratores se “tek kati i dyte, shtëpia anash ka qenë bosh, edhe tjera sipër një kat po ashtu”, por përsëri ishin shumë, të moshuar, prindër, djem, vajza te rinj, fëmijë, shumë.
Kurrë më parë nuk kisha hasur një termet të tille, kurrë më parë nuk kisha parë godina të shembura, kurrë më parë nuk kisha hasur, parë njerëz të gjallë apo pa jetë në rrënoja; Kurrë më parë nuk kisha bërë një punë të tillë!
Por puna mësohet, ta mëson nevoja dhe njerëzit, te gjithë me të cilat flisja prej ores 4.00 e që ishin aty; Kolegët e mi, deputet, kryetareët e bashkive, policët, ushtarakët, mjekët e infermierët, kërkuesit e shpëtuesit, punëtoret, vendasit e ardhësit, nuk ua thashë në një vit; Me ju shkoj edhe ne lufte!“, shkruan Braçe.



