Gjatë vitit 2022 buxheti ka paguar 90 milion euro për të gjithë aparatin e qeverisë qëndrore dhe bashkive për fatura luksi. Këtu nuk llogariten pagesat që kanë bërë për mallra dhe shërbime të njëjta ndërmarrjet në pronësi të shtetit, të cilat shpërblimet dhe dietat i kanë edhe më të larta.
Nëse merren të ndara në zëra të veçuar dhe me fatura të vogla, pagesat që kryen arka e shtetit për shpërblime, karburant, fatura telefonie apo bileta udhëtimi dhe dieta, shifrat rezultojnë të ulta. Por në fakt këto shpenzime i kushtojnë buxhetit miliona euro çdo vit.
Që prej vitit 2014 dhe deri më sot, shpenzimet e administratës qëndrore dhe vendore për dieta, bileta, telefoni, pritje përcjellje dhe karburant kapin shifrën 450 milion euro. Me këtë shumë buxheti do të kishte mbuluar për dy vjet pagesat e të gjithë pensioneve në vend. Administrata konsumon për shpenzime luksi në vit njësoj sa fondet e mbledhura bashkë të asistencës për papunësinë, ish-të përndjekurit dhe bonusi i lindjeve dhe pensionistëve.
Sipas të dhënave të thesarit të publikuara nga Open Data Spending dhe të përpunuara nga Kronos, buxheti për karburant, dieta, udhëtime jashtë shtetit dhe pritje përcjellje rezulton të jetë rritur nga viti në vit.
“Nëse paratë publike përdorën për investime dhe shërbime afatgjata, ky është një proces i mirë i përdorimit të parasë publike. Por ndërkohë shohim fenomenin që disa shërbime apo blerje të cilat nuk janë afatgjata në impaktin që japin, janë në tendencë rritjeje, atëherë mund të themi që paraja publike nuk po injektohet në formën e duhur”. thotë Aranita Brahaj, drejtore e Open Data Albania.
Shpenzimi më i madh për buxhetin e shtetit është ai për karburant. Vitin e shkuar nafta e institucioneve u ka kushtuar taksapaguesve 33.5 milion euro. Në total për naftën, buxheti i shtetit ka shpenzuar 9 vitet e fundit 246 milion euro. Mesatarja e pagesave të shtetit për nevojat për transport të institucioneve është 27 milion euro në vit. Gjatë vitit të shkuar ky zë u rrit me 6 milion euro për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të lëndëve të para si pasojë e luftës në Ukrainë.
“Shpenzimet e karburantit janë shpenzime të cilat konsideroheshin se do të kishin një peshë më të ulët në raport me buxhetin e shtetit. Nuk janë ulur , por janë rritur dhe më shumë se rritja e vetë buxhetit të shtetit. Dixhitalizimi pritej të ulte këto shpenzime, por ka ndodhur e kundërta”, thotë redaktori i BIRN, Gjergj Erebara.
Zyrtarët e shtetit kanë shpenzime të larta edhe për dieta të udhëtimeve brenda vendit. Vitin e shkuar thesari i shtetit ka paguar 12.4 milion euro për vizitat e administratës në qytete të ndryshme si dieta shërbimi. Me këto pagesa, i bie që mesatarisht çdo punonjës i administratës qëndrore dhe bashkive të ketë marrë të paktën 100 euro dietë në vit. Që nga 2014-ta dhe deri në fund të vitit 2022, taksapaguesve u kanë kushtuar dietat 112 milion euro.
“Ne në gjuhën gjuhën e financave publike i quajmë shpenzime jo produktive, që nuk prodhojnë asgjë, përveç efektit në ekonomi si konsumatorë”. thotë ish-zëvendsministri i Financave, Sherefedin Shehu.
Pagesat e vetme që janë përgjysmuar vitet e fundit janë ato të shpenzimeve të telefonisë celulare. Reduktimi i këtyre pagesave lidhet me me kufizimin e numrit të zyrtarëve që u mbulohet pagesa e celularit, vendosja e një tavani shpenzimi sipas nivele të tyre dhe uljes së tarifave të telefonisë së lëvizshme gjatë dekadës së fundit. Shpenzimet për telefoni janë ulur me tre herë, nga 5.1 milion euro në vitin 2014 në 1.6 milion euro gjatë vitit të shkuar. Në total pagesat buxhetore për këtë zë janë 28 milion euro.
Vitin e shkuar biletat për fluturimet jashtë vendit të administratës publike kanë kushtuar 6.7 milion euro, vlerë pa përfshirë udhëtimet me charter të kryeministrit Edi Rama. Që nga viti 2014, zëri i këtyre shpenzimeve është rritur me 58%, ndërsa në total gjatë kësaj periudhe udhëtimet e zyrtarëve jashtë kanë kushtuar 45.7 milion euro.
20 milion euro kanë kushtuar edhe shpenzimet për pritje përcjellje që nga viti 2014 dhe deri më sot. Pjesën më të madhe të pagesave e zënë sallat e konferencave, drekat dhe darkat e mirëpritjes dhe dhuratat e suveniret që zyrtarët shqiptarë u kanë bërë delegacioneve të huaja.
“Çdo institucion duhet të ketë dhe libër dhuratash. Sa mirë kryeminsitri na ka marrë me kamera në zyrën e tij dhe na ka treguar të gjitha dhuratat. Ato janë vendosur në një arkiv, në një protokoll dhe janë të gjitha të iventarizuara, po këto fluturimet kush i ka paguar dhe çfarë është dhënë në shërbim të këtyre pagesave?” shprehet drejtorja e Open Data Albania, Aranita Brahaj.



