
Në studion e MCN Economy, sipërmarrësi Rezart Lahi tha se është për t’u vlerësuar incentivimi për start-up, por ligji duhet të jetë më i qartë për mënyrën e funksionimit të grupeve të investimit. Lahi tha se është e vështirë që të rinjtë që duan të ngrenë një kompani start-up të përfitojnë nga këto fonde që në tentativën e parë.
Paratë asnjëherë nuk janë të mjaftueshme. Ideja e incentivave është e mirë. Sa u takon start-up teknologjike, fondi është i vogël. Ne jemi ndër vendet e fundit sa i përket këtij zhvillimi, si hap i parë duhet parë si do të jetë përzgjedhja.
Legjislacioni nuk është shumë i qartë sesi mund të bëhen grupe investimesh. Sipërmarrësit kanë kapitalin, të rinjtë kanë energjinë. Ka nevojë për plotësime dhe thjeshtësim për të krijuar grupe investimesh për të krijuar start-up. Ne kemi krijuar një grup të tillë, jemi akoma në fazat e para të përzgjedhjes. Ndryshe nga qeveria, ne marrim aksione te ajo kompani.
Është e vështirë që biznese të krijuara nga 20-vjeçarë të përthithin fonde të tilla. Mund të ndodhë nëse janë persona që kanë përfituar më parë me start-up e tyre.



