Deputetja e PD Sorina Koti tregoi arsyet përse ajo dhe anëtarë të tjerë të Komisionit të Rithemelimit nuk iu bashkuan mbledhjes së grupit parlamentar të udhëhequr nga Alibeaj, ku u diskutua mbi propozimet për President. Sipas Kotit ka pasur një vendim që deputetët e Komisionit të Rithemelimit të përjashtohen, duke theksuar se pengesa qëndron te pala tjetër.
Në dijeninë time nuk janë thirrur të gjithë deputetët, pasi është kërkuar nga Grupi i Rithemelimit që duhet të ketë fillimisht një ribashkim të grupit parlamentar. Komisioni i Rithemelimit ka marrë vendimin që të mos bëhet pjesë e mbledhjes ku përjashtoheshin deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Ne kemi pasur të deleguar z. Boçi dhe z.Bylykbashi për të negociuar për çështjen e Presidentit. Deklarata e z.Bardhi është një hap i mirë, por për sa kohë nuk kemi një ftesë të hapur dhe të sinqertë nuk ka reagim. Për sa kohë nuk njohin vendimin e gjykatës dhe vendimet e marra, kjo nuk është më në dorën tonë. Pengesa nuk është nga ana jonë, pasi ne i kemi thirrur të gjithë deputetët, i kemi kontaktuar për të normalizuar grupin parlamentar. Nuk ka ngelur asnjë deputet i pa ftuar. Nuk është më përgjegjësi e jona. Pritet një lloj përgjigje, një lloj reagimi që duhet të vijë nga z.Alibeaj, nga z.Bardhi”.
E pyetur mbi emrat e lakuar sot për President, Koti tha:
Nuk dua të merrem me emra të përveçëm pasi nuk është një proces që ka për të përfunduar kaq thjeshtë, për shkak se marrëveshja që ka bërë Alibeaj me Ballën, në dy raundet e para do propozojë opozita emrat, dhe më pas do jetë z.Rama që do prezantojë emrin për President. Është një lojë që ka kohë që diskutohet. Nuk ka përfshirë opozitën dhe gjithë spektrin e saj. Emrat janë njerëz të mirënjohur, mund të jenë presidentë të devotshëm, por është proces politik, nuk mund të ketë anashkalim të PD në këtë proces”.



