
Një seancë e jashtëzakonshme do të jetë ajo ku do të vendoset fati i ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, ndaj të cilit Prokuroria e Posaçme SPAK ka një urdhër-arresti, të bazuar mbi tre akuza sa i takon çështjes së inceneratorëve. Mazhoranca kërkonte që ky votim të bëhej ditën e hënë pas miratimit dhe të raporteve në Këshillin e Mandateve, por pas debateve të ashpra në sallën e Kuvendit, u la që kërkesa për arrestimin dhe kontrollin në banesën e Ahmetajt të lihej për sot. E gjithë situata rrodhi pas diskutimeve të ashpra në Kuvend, ku opozita e akuzoi mazhorancën se në realitet po i jepte kohë Ahmetajt për të intimiduar prokurorët. Ahmetaj, një ditë më parë i dërgoi mesazh gjatë emisionit Opinion, ka treguar lëvizjet e tija dhe se kur do të dalë publikisht të mbrohet ndaj akuzave të ngritura. Ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për korrupsion, fshehja apo mosdeklarim të pasurive dhe pastrim parash. Ai aktualisht nuk ndodhet në Shqipëri dhe mendohet të jetë larguar disa orë përpara se kërkesa e SPAK të mbërrinte në kryesinë e Kuvendit. Pritet që seanca të mbahet sot në orën 10:00, ku do të ketë dy raporte për këtë çështje.



