Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit sot ka theksuar se platforma e komunikimit me njerëzit nuk do jetë një gjueti shtrigash për ata që duan të bëjnë denoncime apo të marrin nëpër gojë njerëzit. Ai tha se çdo anëtar i kësaj platforme do jetë me identitet të verifikuar dhe nuk do jetë si “Facebook”.
“Një rezervë tjetër që besoj edhe ju e keni dëgjuar është që përmes këtij mekanizmi mund të hapet një gjueti shtrigash për shkak se njerëzit mund të turren dhe të bëjnë denoncime e të marrin nëpër gojë njerëz të tjerë. As kjo nuk qëndron sepse platforma pranon anëtar dhe anëtare real me identitet të verifikuar si pjesëtar të këtij koalicioni qeverisës. Nuk është si Facebook, apo portale ku bëhen komente, ku individë të ndryshëm mund të futen me emra të tjerë apo me 7 emra dhe të marrë në gojë kë të dojë. Çdo person që do të regjistrohet për të qenë pjesë e këtij procesi dhe për t’i dhënë vetes statusin e anëtares së koalicionit, do të mbajë përgjegjësi për atë që shkruan”, deklaroi kreu i qeverisë.
Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar me hollësi platformën e re të adaptuar nga qeveria e tij për komunikimin me qytetarët.
Ai tregoi edhe mënyrën e përzgjedhjes së atyre që do të verifikojnë denoncimet, ankesat apo kërkesat e qytetarëve dhe tha se një grup do të qëndrojë në kryeministri dhe një tjetër në çdo ministri.
“Ky mekanizëm inovativ është një ekran për këdo që e përdor por pas ekranit ka një grup të tërë njerëzish. Kush janë këta njerëz?
Janë një grup njerëzish të përzgjedhur pas një thirrjeje publike që kemi bërë 2 muaj më parë mes më shumë se 800 aplikantëve. Kanë paraqitur dosjet e tyre, dy letra rekomandimi dhe një letër motivimi. Mbi bazën e dosjes është bërë një paraseleksionim dhe janë kualifikuar afro 50 persona, prej të cilëve filtrohen dhe qysh ditën e hënë do të jenë në gatishmëri afro 25-30 persona. Këta do të ndahen në grupe. Një grup qendror do jetë në kryeministri dhe grupet e tjera do jenë në çdo ministri. Sipas të gjitha kategorive që ka platforma, opinionet, kërkesat, ankesat, sugjerimet, nismat ndahen në bazë të kategorive dhe trajtohen në mënyrë sektoriale nga çdo njëri prej këtyre grupeve. Qëllimi është që për çdo çështje që kërkon zgjidhje dhe ndërhyrje nga titullari i institucionit, zgjidhja të përcaktohet nga titullari i institucionit”, tha Rama.



