
U gjet edhe trupi tjetër i pa jetë i policit Armend Trena, nga njësitë e kërkim shpëtimit.
Njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe AME-së (Agjencisë së Kosovës për Emergjenca) sot në orën 15 e 40, në kilometrin e 6-të (në hyrje të Hanit të Elezit nga vend i aksidentit në lumin Lepenc, kanë gjetur trupin e pa jetë të policit Armend Trena.
Dy policët Armend Trena dhe Malsor Dashi u aksidentuan me veturën e policisë më 28 prill. Trupat e tyrë u kërkuan për ditë të tëra. Derisa trupi i pajetë i Dashit u gjet të enjten, Trena po kërkohej akoma, deri sot kur Ministria e Forcës dhe Sigurisë njoftoi se është gjetur edhe trupi i tij.
Ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, pas gjetjes së trupit të pajetë që dyshohet të jetë i policit të vdekur pas aksidentit në lumin Lepenc, Armend Trena, ka thënë se sipas hetimeve të deritashme, gjithçka çon në dyshimin se ka qenë aksident komunikacioni.
“Falë angazhimit maksimal të të gjitha njësive, kemi arritur të gjejmë trupin e pajetë të Armend Trenës. Hetimet e para kanë treguar se nuk ka asnjë dyshim se s’është aksident komunikacioni. Është konstatuar se automjeti në momentin e aksidentit ka qenë në gjendje të rregullt. Por ende s’e dimë se si ka ardhur deri tek dalja nga rruga e automjetit”, ka thënë Jashari për KTV.



