
Të verbërit e Bashkisë Memaliaj, janë grumbulluar para godinës së Njësisë Administrative të Krahësit mëngjesin e sotëm për të protestuar rreth padrejtësisë që po ju bëhet në mungesën e kompensimit financiar prej disa muajsh.
Të verbërit kanë bllokuar hyrjen e kësaj njësie duke mos lejuar askënd që të hynte në brendësi të saj përfshirë edhe pjesëtarë të administratës. Të verbërit dhe familjarët e tyre kanë protestuar për problemin që po ndeshen në mungesën e pagesave ndaj shoqëruesve.
Për kreun e Shoqatës së të verbërve të Bashkisë Memaliaj Flamur Mushamataj, forma e protestës do të përshkallëzohet edhe më tej nëse autoritetet do të qëndrojnë të shurdhëta përballë kërkesave të tyre.
Protesta e sotme është mbështetur nga Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ku Gjergj Smakaj administrator i saj, shprehet se Bashkia Memaliaj është fajtore për këtë anomali pasi nuk është treguar e përgjegjshme në menaxhimin e kritereve të vendosura dhe shkresave për të përfituar kompensimin e energjisë elektrike për 20 familje të verbëra si dhe mungesën e pagesës së shoqëruesve.
Ndërkohë nga bashkia Memaliaj nuk ka asnjë reagim. Në Memaliaj janë 23 të verbër që përfitojnë pagese paaftësie.



