Deputeti Kastriot Rexhepi është përjashtuar nga Lëvizja BESA. Opozita në Maqedoninë e Veriut nuk arriti të sigurojë të enjten votat e nevojshme për ta rrëzuar qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev, pasi ishte pikërisht ky deputet, ai që prishi planet e partive opozitare.
Përjashtimi i tij është konfirmuar nga kryetari i partisë, Bilall Kasami, i cili tha se Rexhepi veproi në kundërshtim me vendimin e partisë.
“Duke marrë parasysh veprimet e fundit të deputetit të Lëvizjes BESA Kastriot Rexhepi i cili ditë më parë nuk u paraqit në kuvend, për të mbështetur mocionin e mosbesimit të qeverisë, Lëvizja BESA, respektivisht unë si Kryetar partie, konform normave statutore, anëtarin e lartëpërmendur e përjashtoj nga të gjitha pozicionet partiake dhe të qenurit anëtar i kësaj partie.”
Intensive vazhdojnë të jenë përplasjet mes mes mazhorancës dhe opozitës. LSDM-së, partia ne pushtet, kërkon qe kryetari i VMRO-DPMNE-së të japë dorëheqje, për shkak se i mashtroi qytetarët se ka shumicën e re, ndërsa nga VMRO, kundërpërgjigjen se Zoran Zaev është ai që duhet të largohet pas humbjes në më shumë se 40 komuna në zgjedhjet lokale.
Ndërkaq, VMRO është vënë në kontakt me të gjitha subjektet politike në vend që mendojnë se Zoran Zaev nuk ja vlen më të jetë në krye të kësaj qeverie.



