
Katari aspiron të anëtarësohet në Aleancën e Atlantikut. Këtë e bëri të ditur në revistën ushtarake “Al-Talia” zëvendëskryeministri Khaled bin Mohammad, i cili është shprehur për “aderim të plotë në NATO”. Ai ka saktësuar se Katari është përgatitur për dislokimin e çdo njësie të NATO-s në territorin e tij dhe për bashkëpunim me vendet që bëjnë pjesë në këtë aleancë.
Kjo deklaratë vjen një vit pas bllokimit ekonomik që e ashtuquajtura Katërshe (Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, Bahreini dhe Egjipti) ka ndërmarrë ndaj Katarit. Fërkimet brenda aleatëve perëndimorë të Gjirit lindën kur Katari shprehu mbështetjen për Vëllazërinë Myslimane dhe pati qëndrime të buta ndaj Iranit, me të cilin ndan fushat më të mëdha të gazit në botë.
Megjithatë, Doha i ka hedhur gjithnjë poshtë akuzat për mbështetjen e grupeve terroriste si Hamasi dhe Hezbollahu. Bllokimi i Katërshes nuk ka mundur ta ulë në gjunjë ekonominë e Katarit, e cila vitin e kaluar u rrit me 1.9%, një ngadalësim i vogël në karahasim me 2.2%-shin e vitit 2016. Por tensionet në rajon mbeten të larta. Arabia Saudite ka kërcënuar me pushtim mbretërinë e vogël nëse ajo vijon me blerjen e sistemit antiajror rus. Moska nga ana tjetër ka konfirmuar se negociatat për këtë janë në proces. Por një marrëveshje e tillë duket e pagjasa.
Katari mbetet një aleat ushtarak thelbësor për SHBA-të. Pranë Dohës ka një bazë amerikane që quhet Al-Udeid, më e madhja deri tani në Lindjen e Mesme, me rreth 5000 trupa dhe dhjetëra mjete kundërajrore.
Turqia, vendi tjetër anëtar i NATO-s, ka hapur një bazë dhe ka dërguar atje një batalion. Ankaraja është për momentin partneri më i ngushtë i Doha-s, por Uashingtoni në këtë moment po përpiqet për pajtimin e aleatëve të Gjirit, për shkak se fronti anti-Iran duket i dobësuar. Deklaratat e zëvendëskryeministrit të Katarit vijnë në këtë moment beteje diplomatike, për të përcjellë mesazhin se Katari dëshiron të mbetet aleati më i besuar i Perëndimit në frontin e Lindjes së Mesme.



