
Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se u diskutua për të vazhduar protestën në parlament, si deputetë që përfaqësojnë një opozitë me të drejta të mohuar, dhe për të vazhduar përpjekjet për rivendosjen e këtyre të drejtave kushtetuese, pa të cilat pluralizëm politik në parlament nuk ka.
Edi Rama për pushtetin e tij sakrifikon parlamentin, por qytetarët shqiptarë nuk do pajtohen kurrë me sakrifikimin e parlamentit për pushtetin e një njeri të inkriminuar në shkallën më të lartë, të një njeriu që po përpiqet të ndryshojë ligjet për t’i shpëtuar përgjegjësive për firmat që ka vendosur, të një njeriu që po mbyll me disa drejtorë, hetimin e inceneratorit të Tiranës, të cilët janë absolutisht të përgjegjshëm para ligjit, por nuk janë kurrë njerëzit më kryesorë, sepse më kryesorë në djegësin e Tiranës është Erion Veliaj dhe nuk ka diskutim, edi Rama që firmos për t’i dhënë 8 pikë bonus një kompanie, për të cilën ishte njoftuar që nuk ekziston dhe që do themelohej 9 muaj mbrapa, vetëm një ditë para se qeveria ta shpallte fitues për djegësin e Tiranës.
Ndërkohë po bëhen gati riformatime të tjera të qeverisë, të cilat synojnë asgjë tjetër, veçse konsolidimin e krimit në këtë qeveri.
Unë u thashë ju, futja e Taulant Ballës ishte dorëzimi përfundimisht e rendit te krimi. Por tani, po shqyrtohet futja edhe e të tjerëve, në mënyrë që krimi të saldohet dhe t’i mbetet popullit shqiptar për ta përmbytur atë në kohën më të shpejtë.
Berisha shtoi se ka një klimë të ndezur në publik, ka një zemërim të madh për shkelmimin e të drejtave të opozitës në parlament, ka një urrejtje të madhe ndaj krimit dhe revanshit të tij në qeveri, ndaj shtoi se koha e një lëvizje me mosbindje civile në të gjithë aspektet po vjen dhe jam i sigurt në suksesin dhe fitoren e saj.
Unë qëndroj plotësisht te vija e kuqe për Lulzim Bashën. Siç e shihni ju, çdo javë dalin të dhëna të tjera tronditëse. Mos të mendojë kush se hetimi i 4 gazetarëve të BBC është i porositur nga Tirana. Jo, absolutisht.
Por Lulzim Basha është përfundimisht i pakallur në rrafshin politik, e mban Edi Rama si shpifë arash.
E di se çfarë është shpifa e arave? Ta tregoj unë. Kur fillon të piqet misri ose gruri, vërshojnë zogjtë dhe sorrat për t’u ushqyer.
Atëherë fermerët marrin e bëjnë një dordolec, që shpendët të mendojnë se është një njeri. E përdor Rama në kuptimin figurativ.



