I ofendonte babain herë pas herë, duke i thënë: “…O spiun i sigurimit…, o Enverist…, komunist… etj”, por djali i një ish-zyrtari të Sigurimit të Shtetit, ka vendosur të hakmerret në një mënyrë të veçantë, duke i shkatërruar autobusin, të cilin ofenduesi e përdorte për ceremoni funerali.
Erion Duçka, ka vendosur t’i shkatërrojë autobuzin komshiut, duke përdorur një sasi të vogël tritoli, duke ja hedhur në një nga gomat. Sasinë e tritolit, Duçka rezulton ta ketë gjetur tek një person i paidentifikuar në zonën e Farkës, duke e blerë kundrejt 100 mijë lekë të vjetra. Pas kësaj Duçka, ka siguruar dhe një biçikletë, të cilën e ka përdorur për të shkuar afër autobusit dhe vendosur sasinë e lëndës shpërthyese.
Teksa ai largohej në orët e vona të natës nga vendngjarja me një biçikletë, është ndaluar nga një patrullë policie, të cilën më pas e ka kundërshtuar. Menjëherë ai është arrestuar për kundërshtim të forcave të rendit, dhe është shoqëruar në polici.
Por gjatë marrjes në pyetje Erion Duçka, djali i ish-sigurimsit, ka pranuar të bashkëpunojë me policinë, duke ndjerë pendesë për atë që kishte kryer, dhe treguar gjithçka. Për vendosjen e tritolit me fitil zjarr përcjellës, i pandehuri Duçka është dënuar nga gjykata e Tiranës me 3 vite heqje lirie.
Fillimisht ai ka pretenduar se në momentin që e ka kapur policia ka qenë duke shkuar në xhami për tu falur. Më tej ai ka deklaruar se lëndën eksplozive tek autobusi, e ka vendosur ai dhe arsyeja ka qenë pasi ka patur disa konflikte me pronarin, pasi ky i fundit i shante babain e tij, duke i thënë spiun, për shkak se babai i Erionit kishte punuar në SH.I.K



