
Europa po përjeton ditët më të nxehta për shkak të temperaturave të larta. Deri më tani janë regjistruar 1900 viktima si pasojë e valëve të të nxehtit në Spanjë dhe Portugali. Vdekja e një 60-vjeçari në Spanjë, teksa pastronte rrugët e qytetit ka shkaktuar debate të shumta mbi nevojën për të marrë masa të menjëhershme ndaj ndryshimeve klimatike.
“Është e qartë se pabarazitë sociale luajnë një rol të rëndësishëm në mënyrën se si njerëzit vuajnë gjatë valëve të të nxehtit, tha Julio Díaz i Institutit Carlos III. “Të durosh një valë të nxehti në një shtëpi me kondicioner dhe pishinë nuk është njësoj si të jetosh me 5 persona në të njëjtën dhomë me një dritare si burimi i vetëm i ajrit të pastër”.
Edhe pse temperaturat kanë shënuar rënie në Francë dhe Britani, zjarrfikësit po përpiqen të shuajnë zjarret në Spanjë, Itali dhe Francë. Një zjarr i madh ka përshirë Megaran, pranë Athinës, ku qindra persona janë evakuuar në 24 orët e fundit.
“I lamë gjërat tona, shtëpitë… ,tha Konstantina Yfanti. Gjithçka filloi me një shkëndijë në magazinë. Temperaturat ishin shumë të larta, xhamat u thyen dhe gjysma e shtëpisë sonë u shkatërrua”.
Nga ana tjetër, Spanja po lufton me zjarret në disa fronte. Zjarri në Avila, në veriperëndim të Madridit ka djegur tashmë më shumë se 4 mijë hektarë dhe për shkak të erës situata është bërë edhe më e vështirë.
Në Portugalinë fqinje, të paktën 1,000 njerëz kanë vdekur për shkak të nxehtësisë. Temperaturat në të gjithë Portugalinë e goditur nga thatësira kaluan 40 gradë Celsius javën e kaluar.
Nga data 7-13 korrik, vendi regjistroi 238 viktima të tjera dhe se numri i viktimave është rritur në 1,063 për periudhën deri më 18 korrik.



