Në qytetin e Gjakovës në Kosovë u mbajt edicioni i 74-t i Kërcimeve Tradicionale nga Ura e Fshajtë.
Associated Press në një material të publikuar shkruan se konkurrentët nga e gjithë Kosova zhyten në lumin Drin i Bardhë nga një urë guri me një hark 20 metra të lartë.
Qindra njerëz u mblodhën në Urën e Fshajtë të shekullit të 18-të gjatë fundjavës, për të parë garën e cila zhvillohet tradicionalisht çdo gusht.
Shklezen Goci, i cili garon prej 25 vitesh thotë se për të është një privilegj që të marrë pjesë çdo vit.
E kam privilegj dhe jam veteran i këtyre kërcimeve. Marr pjesë prej 25 viteve. Jam kampion, nënkampion, edhe organizator i garës. Është kënaqësi e madhe të marrësh pjesë në këto gara dhe i ftoj të gjithë garuesit të vijnë dhe të bëjnë fluturimin e kësaj ure që është mahnitëse.
Fituesi i kësaj gare, Vedat Krasniqi thotë: Është kënaqësi e papërshkrueshme. Jam shumë i lumtur që e kapa sërish çmimin!



