Të tjera detaje janë zbardhur nga sekuestrimi i pasurisë prej 5 milionë euro të dy vëllezërve Marku. Sipas informacioneve, mësohet se Sokol Marku dhe vëllai i tij Elson Marku, nga viti 2008 deri në vitin 2015, kanë përfituar transferta në vlera monetare të larta nga disa vende të BE, si Italia, Belgjika, Spanja, Suedia, Zvicra, Greqia dhe Franca.
Sipas dosjes rezulton se aktiviteti i tyre kriminal duket se ka qenë i shtrirë në një numër të lartë të vendeve të Bashkimit Evropian. Këto para ata i investonin në blerjen dhe tregtimin e makinave. Nga muaji mars i vitit 2011 deri në mars të vitit 2015, Sokol Marku ka përfituar 30 transferta me vlerë totale 12.316 euro, nga persona të ndryshëm.
Ndërsa nga korriku i vitit 2014 deri në gusht të vitit 2015, ka dërguar 1.127 euro në favor të tre personave, të afërt të tij drejt Italisë, Belgjikës, Spanjës dhe Suedisë.
Kurse Elson Marku, nga data 7 korrik deri në datën 14 korrik të vitit 2015 ka përfituar dy transferta, njëherë 1.633 franga zvicerane dhe një herë tjetër 48.235 franga. Transferta parash ka përfituar edhe babai i tyre. Sokol Marku, përgjatë vitit 2008 deri në 2010 ka përfituar nëpërmjet transferave 16.850 euro. Ndërkohë nga periudha janar 2010 deri në gusht 2015 ka përfituat 37 transferta në vlerë totale 17.850 euro nga shtetas të ndryshëm. Këto vlera janë futur nga Italia, Zvicra, Greqia, Gjermania dhe Franca.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se pasuria e tyre ishte regjistruar në emër të personave të tretë, kryesisht familjarë e rreth shoqëror. Në emër të dy vëllezërve Marku ishin të regjistruara vetëm disa automjete. Sekuestrimi i pasurisë së vëllezërve Marku është bërë një ditë më parë nga Prokuroria e Tiranës, ku janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 18 makina, apartamente, biznese dhe lokale.



