
Spanja është skuadra e radhës që kualifikohet për në çerekfinalen e Europianit. Iberikët kanë mposhtur ditën e sotme Kroacinë me rezultatin 5-3, duke kaluar kështu për më tej, aty ku do të përballen me fituesin e çiftit Francë-Zvicër.
Në Kopengahen ishte një ndeshje me të vërtetë spektakolare, ku u shënuan 8 gola dhe zgjati 120 minuta. Koha e rregullt u mbyll në barazim 3-3, ndërsa në shtesë skuadra e Luis Enrique shënoi dy herë, fillimisht me Moratan në minutën e 100-të dhe 3 minuta më pas me Oyarzabal.
Ishin kroatët që kaluan të parët në avantazh pas një gafe të portierit Simon, pas kthimit të topit nga Pedri. 18 minuta më vonë spanjollët barazuan me Sarabian, ndërsa Azpilicueta në minutën e 57-të përmbysi rezultatin. Ishte Ferran Torres, i cili në minutën e 77-të shënoi të tretin për Spanjën.
Megjithatë kombëtarja e Dalic nuk u dorëzua dhe arriti të barazojë shifrat. Orsic në minutën e 85-të dhe Pasalic në minutën e 92-të, barazuan shifrat duke e dërguar ndeshjen në shtesa, aty ku kroatët ishin të pafuqishëm, duke u ndëshkuar dy herë dhe duke u eliminuar nga Europiani.



