Qeveria e Ukrainës ka deklasifikuar disa dokumente të epokës sovjetike dhe informacione të tjera që lidhen me incidentin e Çernobilit në vitin 1986, i njohur si katastrofa më e rëndë bërthamore në histori.
“Brussels Times” raporton se dokumentet, të botuara si pjesë e librit "Dosja e KGB-së për Çernobilin: Nga ndërtimi deri te aksidenti", përmbajnë një përmbledhje të gabimeve në ndërtim që janë bërë në uzinën bërthamore. Këto gabime besohej se kanë çuar në shpërthimin vdekjeprurës në uzinë në prill 1986, që përhapi materialin radioaktiv në një pjesë të madhe të Ukrainës, e njohur tani si zona e përjashtuar.
Media shtetërore ruse, Sputnik, raportoi se libri ka edhe transkriptime të thirrjeve drejt shërbimeve të urgjencës që nga nata e shpërthimit, si dhe informacione rreth përpjekjeve të KGB-së për të vendosur njerëz "jo të besueshëm" në mesin e atyre që kishin për detyrë të menaxhonin incidentin, përfshirë ata që kishin shumë kontakte me perëndimorët.
Në transkriptet e deklasifikuara, një shef rajonal i KGB-së, agjencia e inteligjencës e Bashkimit Sovjetik, raporton "shkelje të qëllimshme të standardeve teknologjike në ndërtim".
Mijëra njerëz kanë vdekur në vite si pasojë e atij shpërthimi. Historia e katastrofës bërthamore u rikthye në HBO së fundmi nëpërmjet një seriali të titulluar “Çernobil”.



