Analisti nga Kosova, Nexhmedin Spahiu foli në edicionin e lajmeve në MCN TV lidhur me zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që po zhvillohen sot në Serbi. Spahiu tha se Vuçiç është i favorizuar për fitore, ndërsa shtoi se shqiptarët kanë pak gjasa për të përsëritur suksesin e zgjedhjeve të shkuara, pasi këtë radhë merr pjesë opozita.
Serbët votojnë në qytetet më të afërta në Veriun e Kosovës. Ka një fluks të madh qytetarët që duan ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, për të arritur në qytetet fqinje të Kosovës. Besoj se ky proces do ta ketë dëmtuar presidentin Vuçiç, sepse opozita do ketë qasje më të madhe në qytetet brenda Serbisë. S’ka pasur incidente, nëse ndodhin do të ndodhin në qendrat e votimit ku janë përcaktuar. Vuçiç është i favorizuar, por në dallim nga zgjedhjet e kaluara, opozita nuk do të bojkotojë zgjedhjet. Partitë që dolën në zgjedhje nuk arritën të kalojnë pragun 3 për qind. Kjo ishte favorizuese për shqiptarët e Kosovës, por tani do të jenë në situatë më të rënduar për faktin se gjithë opozita merr pjesë dhe pragu i kalueshmërisë do ngrihet. Shanse më të vogla për shqiptarët sepse votat nuk llogariten veç, por të partive që përfaqësojnë shqiptarët. Ndarja e shqiptarëve e pamundëson një sukses të theksuar sepse zvogëlon pragun. Gjasat që shqiptarët të arrijnë suksesin e herës së kaluar janë shumë të vogla”.
I pyetur për heqjen e afro 6 mijë shqiptarëve nga listat e votuesve, Spahiu tha se Beogradi bën një politikë permanente që numri i shqiptarëve në Serbi të zvogëlohet. Analisti vuri në dukje se edhe nëse do të fitonte opozita në Serbi ndryshimet do të ishin të vogla, pasi në këtë vend ka një nacionalizëm fashist që përhapet përmes shkollës, kishës dhe institucioneve të tjera.
Edhe nëse fiton opozita, që është shumë pak e pritshme, nuk është se në Serbi ka ndryshim radikal në mendimin për çështjen e Kosovës. Mund të ketë ndonjë ndryshim të vogël. Ata që ndryshojnë në mendësi nga Vuçiç janë një pakicë shumë e vogël që nuk mendoj se do futen në Parlament. Problem në Serbisë është një mendësi që gjenerohet përmes sistemit shkollor, kishës, institucioneve të ndryshme, që akoma gjenerojnë një nacionalizëm të tipit fashist që s’është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare. Ndryshimet mund të vijnë vetëm nëse rrethana ndërkombëtare do ta detyrojë Serbinë të bëjë hapa përpara”.



