Për refuzimin nga Gjykata të lejes për Fredi Belerin që të bënte betimin si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, Kryeredaktori i MCN Tv, Leonard Mitro, thotë se nuk përjashtohet mundësia që drejtësia të veprojë e ndikuar politikisht. Kjo për faktin se çështja “Beleri”, e cila lidhet me zgjedhjet lokale u trajtua politikisht në fushatë nga Kryeministri Edi Rama dhe më pas nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka. “Është çështje penale ka aktakuzë të ngritur ndaj tij, por gjithë shqetësimet që kanë vënë në lëvizje dhe Athinën zyrtare është nëse shteti i së drejtës është instrumentalizuar në këtë rast, nëse gjykata apo drejtësia vepron e ndikuar politikisht. Ky nuk është precedenti i parë, kemi parë elementë të mëparshëm ku drejtësia ka qenë zgjatim i politikës, aq më tepër që ka shumë pikëpyetje mbi reformën aktuale në drejtësi”, theksoi ai. Mitro shtoi se është e dukshme që ka krisje mes dy qeverive, por pyetja që ngrihet është sa të thella janë diferencat mes Tiranës dhe Athinës. “Sot Rama ishte në Bruksel dhe bëri apel për uljen e tensionet Kosovë-Serbi, me narrativën e një lideri pacifist, por e kundërta ndodh kur bëhet fjalë për çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë, këtu Kryeministri duket tërësisht i painteresuar dhe pavarësisht shqetësimeve të përsëritura të Athinës, ai vetë nuk reflekton. Aq më tepër që Kryeministri nuk ka presione të brendshme as nga komuniteti lokal që votuoi zotin Beleri, përveç zotit Dule që del dhe flet në parlament, por që nuk e merr kush në konsideratë. Edi Rama ishte në Athinë, u prit me kurora me lule, hapi ekspozitë. Zoti Dendias asokohe tha se marrëdhëniet janë të shkëlqyera, por mjaftoi një incident si i Himarës që gjërat të ndryshojnë”.



