
Politologu Nexhmedin Spahiu, thotë se përkundër kërkesave të diplomacisë gjermane që të hiqen barrikadat deri Krishtlindjeve, ato janë shtuar.
Në një lidhje për MCN Live, ai deklaroi se gjendja e 40 mijë banorëve në Veri të Kosovës po përkeqësohet gjithnjë e më tepër dhe se tashmë ndodhen në një “unazë të hekurt”, për shkak të mbylljes së kufirit dhe mbyllja me pjesën tjetër të Kosovës përmes barrikadave që ka vendosur qeveria e Srebisë.
Spahiu tha se popullata e rrethuar ndodhet e vendosur si “në geto” dhe se një gjë e tillë i shërben mobilizimit të mëtejshëm, për një shpërthim të mundshëm.
Sipas tij, gjithmonë ka mundësi për marrëveshje dhe të evitohet një konflikt, por shtoi se nuk ka shenja për marrëveshje për evitimin e konfliktit.
Ka gjithmonë e më shumë shenja për përplasje me forcat serbe në veri. Ndërkombëtarët i kanë bërë të gjitha ftesat e mundshme për dialog dhe paqe.
Tani ngelet mes palëve që të zgjidhnin problemin, nëse duan ta zgjidhin situatën me dialog dhe paqe apo nëse duan të përplase me njeri-tjetrin.
Tani për tani situata është në atë pozicion ku asnjëra palë nuk po merr hapa drejt njëra-tjetrës apo hapa të kujdesshëm. Përplasja duket se është e pashmangshme që do të vijë.
Përgjegjësitë janë evidente, por vendosja e barrikadës në mëhallën e boshnjakëve, është e fundit, se një pjesë e serbëve që banonin në Veri të Mitrovicës, mund të komunikonin me pjesën tjetër të serbëve në Kosovë dhe përmes daljes nga Podujeva, mund ta shfrytëzonin dhe këtë linjë, por vendosja e barrikadës në lagjen e boshnjakëve i izolon tërësisht.
Qëllimi i qeverisë serbe është që t’i mobilizojë edhe kundërshtarët e Vuçiç që të mos kenë zgjidhje tjetër, përveçse të bëhen ushtarë të tij.
Sa i takon deklaratave të përfaqësuesit të posaçëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, se situata po vjen për shkak se Kryeministri Albin Kurti po shkel marrëveshjet ndërkombëtare, Spahiu tha se tashmë është publike që Grennell është lobist i qeverisë serbe dhe e cilëson të natyrshme një deklaratë të tillë.
E vërteta është se nëse qeveria e Kosovës nuk ka respektuar 5 marrëveshje, ajo e Serbisë nuk ka respektuar 15 marrëveshje.
Qeveria e Serbisë thirret në vendimin fatal të Kryeministrit Isa Mustafa i cili bëri nënshkrimin për të bërë as e komunave me shumicë serbe, pa marrë në këmbim njohjen nga Serbia, e cila shihej si monedhë këmbimi i Kosovës për njohje.
U detyrua që Gjykata Kushtetuese e Kosovës edhe me insistimin amerikan jo të hapur, ta anulojë këtë marrëveshje dhe kësisoj të kthehemi në pikën zero.
Kjo tregon joseriozitet të qeverisë së Kosovës dhe kjo gjë i ka sjellë dëme të mëdha Kosovës.
Spahiu shtoi në vijim se serbët janë popull shumë më i organizuar dhe disiplinuar dhe se nuk bëjnë gjëra që nuk i urdhëron qeveria e Serbisë.
Ndër të tjera deklaroi se ajo që bëhet, bëhet me direktivë të Beogradit.
Edhe po t’i teket një serbi që urren shqiptarët dhe të bëjë diçka me kokë të tij, nuk e bën atë, se mendon se mund të shkojë në disfavorin e çështjes kombëtare dhe qeverisë në Beograd, nuk e bën pa qenë i udhëzuar.
Në çdo konflikt kudo në botë, qoftë në Siri, Iran, Libi apo Ukrainë, aty janë të përfshira fuqitë e mëdha, në njërën anë, ose në tjetrën. Është pak e vështirë të dimë se kush është e interesuar që të ketë konflikt.
Ne po shohim që aleatët tanë, miqtë tanë janë vënë anash dhe po shohin se çfarë po ndodh. Para disa ditësh disa nga diplomatë të huaj në Prishtinë thanë se Kosova ka pasur 23 vjet kohë të përgatitet të zgjidhë problemin e Veriut.
Është koha të sprovohet nëse shteti i Kosovës ekziston vërtetë si shtet. Një shtet nuk bëhet pa sakrificën e atdhetarëve të tij.
Shpesh përmendet bashkimi me Shqipërinë që shkon në favor të asaj që nuk ka arsye të mjaftueshme që shteti i Kosovës të ekzistojë, ose krijohet ideja se duan që t’i udhëheqë ose Tirana ose Beogradi.
Është kohë sprove që do të tregohet nëse vërtetë janë të gatshëm të mbrojnë vendin e tyre apo e gjithë kjo është një farsë. Qeveria Kurti ka dështuar në shumë gjëra, në ekonomi, arsim, shëndetësi.
E vetmja gjë ku ka treguar sukses dhe impenjim më të madh se qeveritë e kaluara, është çështja e Veriut.
Njëlloj si një femër përpiqet të ekspozojë pjesët e bukura të vetë dhe të fshehë ato më pak të bukura, kështu dhe qeveria përpiqet të shfaqet ku ka më shumë sukses.
Por kjo nuk është një çështje e parëndësishme për Kosovën. Veriu i Kosovës, nuk është vetëm një pjesë e Kosovës është pjesa më e rëndësishme e Kosovës, prej nga ku furnizohet me ujë gjysma e Kosovës dhe prej nga furnizohet me energji elektrike.
Të mbetet Kosova pa Veriun e Kosovës, do të thotë të mbetet gjysma e Kosovës pa ujë dhe gjithë Kosova pa energji elektrike.
T’i marrësh Veriun Kosovës, është sikur t’i marrësh Shqipërisë, Durrësin.
Situata është e vështirë dhe patjetër që do sakrifica, vullnet, patriotizëm
Lidhur me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për situatën në Veri të Kosovës, shtoi se do të duhej të ishte më i zëshëm në zbërthimin e gjithë kësaj se çfarë po ndodh.
Nuk është çështja që ka disa njerëz të pakënaqur dhe ku Vuçiç mund të ketë ndikimin pozitiv mbi ta.
Por për njerëz që vetë Vuçiç i organizon dhe u vështirëson jetën qytetarëve të Kosovës dhe komunitetit serb të Kosovës, që i përdor për të realizuar synimet e tij agresive ndaj Kosovës.
Kur iu drejtua Presidentit Vuçiç ishte më tepër justifikim për Vuçiç se sa kërkesë për të zhbërë barrikadat siç i thotë diplomacia gjermane dhe vendet e kuintit.



