
Kryeministri Rama e sheh mbylljen e lojërave të fatit si një mekanizëm për të goditur një nga vatrat më aktive të krimit. Në fjalën e tij në seancën e sotme, ku pritet të miratohet ligji në fjalë, Rama tha se anketat e zhvilluara paraprakisht nga qeveria tregojnë se 73% e shqiptarëve e mbështesin këtë vendim. Rama tha se mbyllja e lojërave të fatit do të ketë dukshëm efekt pozitiv social.
“I dobishëm për të goditur krimin në një nga vatrat më aktive. 73 % e lojtarëve të fatit pohojnë se përjetojnë stres dhe situata që i nxjerrin jashtë kontrollit. Mjafton të pyesim gratë dhe prindërit për të marrë përgjigje. Nuk është e rastit që këtë vendim si pak herë në Shqipëri e mbështet mbi 70% e popullsisë, por e mbështesin 92% e grave shqiptare. Ky është një vendim që shkon përtej të gjitha dallimeve të politikës dhe debatit të përditshëm. Një në 4 lojtarë pranojnë se të paktën 1 herë kanë menduar të vrasin veten”, tha ai.
Rama tha se shtresa më e prekur nga lojërat e fatit janë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike. Në këtë aspekt, sipas kreut të qeverisë ka nevojë për forcimin e ligjeve të ndihmës ekonomike.
“Kryetarët e bashkive në qytetet më të vogla mëkanë raportuar se pikat e basteve atje kanë klientë një numër të konsiderueshëm burrash dhe djemsh me ndihmë ekonomike. Kjo e fundit merret dhe hidhet në bixhoz. Duhet të forcojmë ligjet për ndihmën ekonomike. Atë duhet ta marrin gratë dhe ta çojnë në shtëpi dhe shteti duhet të garantojë për këtë. Duhet garantuar edhe se kur refuzon për të dytën herë, ti e humbet ndihmën ekonomike dhe mundësinë si punëkërkues dhe mund të aplikosh vetëm vitin e ardhshëm. Edhe në Suedi nuk mund të marrësh ndihmë ekonomike nëse refuzon në mënyrë kronike punën që të ofrohet. Një program i ri për punësimin e atyre që mbeten pa punë pas mbylljes së lojërave të fatit është duke u hartuar”, tha ai.



