Nutricionisti Pavli Brozi, thotë se veza është e pasur me biotinë, vitaminën që gjendet tek ajo dhe që stimulon shëndetin e flokëve.
Duke folur për emisionin “Zgjohu me MCN” ai u shpreh pro konsumimit të vezëve, sidomos për njerëz të shëndetshëm që nuk kanë probleme kolesteroli.
Sipas tij, mishi i kuq, peshku, veza, mëlçia e viçit, bulmeti dhe produktet shtazore kanë biotinë dhe se dieta jonë e varfër çon në problemin e rënies së flokëve.
Shumë njerëz tremben nga kolesteroli në gjak, por shumë studime tregojnë se armiku kryesor i kolesterolit të lartë në gjak nuk është yndyra e shëndetshme, por sheqeri.
Konsumimi i tepërt i sheqerit çon në shtimin e kolesterolit në gjak. Trupi arrin vetvetiu një balancë hormonale, kur ti ushqehesh shëndetshëm në afatgjatë. Të marrësh karbohidrate është shumë e thjeshtë, mund t’i gjesh shumë thjeshtë në shumë ushqime, por problemi është të marrësh mjaftueshëm proteina dhe fibra në dietën tënde. 70% e njerëzve nuk marrin mjaftueshëm fibra në dietën e tyre.
Unë konsumoj vezë, tost me avokado dhe bukë pa maja. Në drekë duhet një burim proteinik si mishi i kuq, fileto pule apo një peshk, shoqëruar me perime, për të garantuar fibrat që ka nevojë.
Nuk është se do konsumosh vezën dhe do marrësh biotinën për flokët. Por fibrat do ushqejnë bakteret e mira në zonë dhe këto bakteret e mira e krijojnë veten biotinë. Plus që kur konsumon fibra mjaftueshëm balancojnë sheqerin në gjak.
Në darkë duhet konsumuar diçka më e lehtë, një sallatë. Por e mira është sa më herët, sa më larg gjumit, pasi gjatë natës metabolizmi ynë është më i ngadaltë. Kur kemi ditë metabolizmi është më aktiv dhe gjatë darkës metabolizmi bëhet më i ngadaltë.
Shumë njerëz konsumojnë darkë shumë të rëndë dhe ndihen shumë të rënduar. E bardha e vezës duhet konsumuar vetëm me të verdhën. Pasi nëse konsumon vetëm të bardhën e vezës do të kemi rritjen e sheqerit në gjak.
E verdha e vezës ka vitaminë A, vitaminë B, biotinën, ndërsa e bardha e vezës ka proteinë. E bardha e vezës kur e konsumon të gjallë, ngjitet me biotinën dhe e bllokon trupin që të thithë biotinën.
Mishi i kuq, peshku dhe produktet shtazore kanë biotinë. Suplementimi me biotinë nuk është e nevojshme, nëse konsumon siç duhet.
Por biotina del me uji dhe duhet marrë çdo ditë. Kur vezën e konsumon të zier ka më pak kalori, ndërsa nëse e bën omeletë bëje me vaj ulliri, por po i hodhe proshutë dhe sallam largohesh komplet nga profili i diçkaje të shëndetshme.
Problemet me flokët vijnë nga mungesa e hekurit. Mishi, mëlçia e viçit apo spinaqi i konsumuar me limon ndihmon në shëndetin e flokut.



