Partia kryesore e opozitës së qendrës së djathtë në Lituani udhëheq raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare, sipas të dhënave të komisionit zgjedhor, pasi papunësia e lartë dhe borxhi në rritje dëmtuan koalicionin qeverisës.
Bashkimi Atdheut, i cili e ka themelin në lëvizjen e pavarësisë anti-sovjetike të viteve 1980 mori 24.8% krahasuar me 17.5% për partinë Fermerët dhe të Gjelbrit (LVZS), një grup agrar që drejton koalicionin e kryeministrit Saulius Skvernelis.
Megjithëse, raundi i dytë i votimit mund t’i ndryshojë ekuilibrat, kreu i LVZS pranoi që partia e tij mund të dalë nga qeveria pasi asnjë nga partnerët e tij të koalicionit nuk arriti 5% të votave të nevojshme për të siguruar vend në Parlament.
Ekonomia e Lituanisë nuk është dëmtuar aq shumë sa disa shtete të Bashkimit Evropian në krizën e koronavirusit, por kryeministri është përballur me kritika për dështimin në uljen e papunësisë, rritjen e borxhit dhe pamundësinë për të parandaluar rritjen e infeksioneve të koronavirusit.
Katër parti të tjera morën më shumë se 5% të votave, duke siguruar vende dhe duke hapur rrugën për bisedimet e reja të koalicionit.
Sipas sistemit zgjedhor të Lituanisë, gjysma e parlamentit me 141 anëtarë u zgjodh të dielën në një votim proporcional. Pjesa tjetër e deputetëve zgjidhen në zonat elektorale, me një balotazh për dy kandidatët më të mirë, që mbahet më 25 tetor.



