
Ambasada e SHBA-ve ka zbardhur takimin mes kryeministrit Rama e ambasadores Yuri Kim, bisedë e cila zgjati për të paktën 60 minuta në godinën e kryeministrisë.
Në njoftimin e shkurtër të ambasadës, thuhet se Yuri Kim theksoi rëndësinë që ka ‘gjithpërfshirja’ dhe diskutimet e mirëmenduara, një fjali që i referohet indirekt aktit të prishjes së Teatrit Kombëtar. Ambasada vë në dukje idenë e gjithpërfshirjes duke e hequr vijën paralele, se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe synon anëtarësimin në BE.
“Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua sot me Kryeministrin Rama për të diskutuar mbi ngjarjet e fundit. Ambasadorja theksoi rëndësinë që ka gjithëpërfshirja dhe diskutimet e mirëmenduara në qeverisje, në përputhje me statusin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe vend që synon anëtarësimin në BE. “-thuhet në njoftimin e ambasadës.
Më tutje në njoftim, theksi vihet te përmbyllja e reformës zgjedhore dhe të ‘tjerave premtime’ që i janë bërë qytetarëve shqiptarë, duke nënkuptuar kësisoj ngritjen e Gjykatës Kushtetuese e funksionimin e plotë të Gjykatës së Lartë. “Ata u pajtuan se është thelbësore që Shqipëria të vijojë në rrugën e saj drejt arritjes së dakortësisë për reformën zgjedhore dhe masave të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Shqipërisë. Ambasadorja Kim do të takohet edhe me kreun e PD-së Basha së shpejti.”-shkruhet në njoftim.
12.22- Ambasadorja e SHBA Yuri Kim takim me Ramën në Kryeministri
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, po zhvillon një takim me kryeministrin Edi Rama në Kryeministri.
Referuar aktualitetit politik, temë kryesore e bisedës mendohet se është situata e tensionuar pas shembjes së teatrit, por edhe reforma zgjedhore.
Ndërkohë që edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha priti sot në seli ambasadorët e BE-së.



