Rihapja e debatit për lobimin me para ruse është sipas nënkryetarit të PR, Arjan Madhi, tregues i emergjencës së një ligji efektiv për financimin e partive politike. Në studion e lajmeve të MCN TV, Madhi tha se kjo është kërkuar gjatë takimit të zhvilluar dje në KQZ me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim.
Deklarata e ambasadores është korrekte me atë që ndodhi në takim. Duhet të rishikojmë ligjin dhe të garantojmë sigurinë që të mos lejojmë të infiltrohen para të shteteve të tjera që kanë qëllim të cenojnë demokracinë e Shqipërisë.
Kjo ka ndodhur dhe është provuar. Qëllimi i ambasadores është marrja e nismave të nevojshme. Ne duhet t'i sigurojmë shqiptarët që nuk do të ketë ndërhyrje të tilla.
Unë preferoj të mos komentoj rastin e PD që u ballafaqua me një çështje penale. Analiza është çështje e organeve kompetente. Për të identifikuar do të duhej të kishim informacionin e plotë. Ne na u përcoll vetëm kaq: bëni kujdes, duhet ndryshim i ligjit. Nuk kemi të bëjmë me veprën penale, por me emergjencën për ligjin që do të bëhet pengesë e infiltrimit të parave.
Nëse ka nevojë të hetohet, askush nuk ka pengesë ta hetojë këtë. Ambasada Amerikane nuk identifikoi as përgjegjësit, as rastin. Nuk është e vërtetë që kemi infiltrim dhe financime.



