Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka vlerësuar rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave. Bregu shprehu bindjen se Këshilli Europian do të presë zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri për të vendosur për datën zyrtare të çeljes së negociatave.
“Nuk besoj se ka asnjë që mund t’ua thotë të sigurt deri në datën kur Këshilli do të fillojë, ose të paktën deri në ditën kur Këshilli i Ambasadorëve do të vendosë. Me nuhatjen time dhe me atë që di nga proçesi gjatë këtyre viteve, besoj se Këshilli do të presë zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri për të vendosur për datën zyrtare të çeljes së negociatave”, tha Bregu në një intervistë për “Orën”.
Bregu sqaroi dhe debatin me kolegun demokrat Bumçi në Komitetin e Asociim Stabilizimit.
“Këto takime ose duhet të kenë një lloj formatimi tjetër, pra ose më të vërtetë duhet të prodhojnë diçka, ose në rast se do të vazhdojnë të prodhojnë vetëm debate të pafrytshme dhe debate të cilat përcjellin konfliktin që ne e bëjmë vazhdimisht në Tiranë edhe në mes të Brukselit, duke lënë nam i themi ne shkurt në shqip, atëherë nuk janë më të vlefshme. PE në bazë të traktatit të Lisbonës, të detyrimeve që ka, është i detyruar t’i kërkojë Komisionit dhe Këshillit që të vazhdojmë dhe ky ishte problemi i një amendamenti dje me një propozim konkret për çeljen e negociatave të Shqipërisë. Nuk ka pasur dakortësi për një pjesë të madhe të amendimeve, por në fund të ditës unë kam votuar një amendament i cili ishte dhe amendament kompromisi i propozuar nga PE që grupi tjetër i anëtarëve të delagacionit të PD nuk e votoi, pjesa tjetër e deklaratës ka shkuar njëlloj në të gjitha qëndrimet”.
Bregu shtoi se “mes shokësh ne flasim edhe ndryshe, nuk e di, turpi ose më saktë gjëja e shëmtuar, ishte që dikush nga kolegët tanë filmon një bisedë, e cila mes miqsh mund të jetë dhe jo me fjalët zyrtare që flasim zakonisht në tryeza”.



