Bashkimi Evropian ngre alarmin për mjaltin e importuar në union që sipas Zyrës Kundër Mashtrimit në Komisionin Evropian dhe Qendrës së Përbashkët Kërkimore është i falsifikuar dhe jo autentik.
Sipas hetimeve të Komisionit Evropian nga 320 mostra mjaltë, 147 prej tyre ose 46% rezultuan me përbërje ngjyruesish ose me shurupe të ndryshme sheqeri ç’ka nuk është në përputhje me kërkesat dhe direktivat e bllokut për mjaltin.
Po ashtu hetimi zbuloi se shumica e këtij mjalti sillej nga Turqia dhe nga Kina. Edhe 10 lloje mjalti nga Britania e Madhe dështuan në testet e Komisionit Evropian duke ngritur dyshimin se mjalti mund të jetë prodhuar diku tjetër dhe është përpunuar në Britani përpara se të eksportohej në Bashkimin Evropian.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i zyrtarëve britanikë të cilët thanë se po hetojnë rezultatet pasi nuk besojnë tek pretendimet e ngritura.
Mjalti përmban natyrshëm sheqerna dhe sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian duhet të mbetet i pastër, që do të thotë se nuk mund të ketë përbërës të shtuar në të. Falsifikimi ndodhë kur përbërës të tillë si uji ose shurupe të lira sheqeri shtohen artificialisht për të rritur volumin e mjaltit. Një praktikë e tillë vë në rrezik prodhuesit e ndershëm që përballën me konkurencën e padrejtë nga operatorët që mund ta ulin çmimin falë përbërësve të paligjshëm dhe të lirë.
Pas publikimit të raportit kanë reaguar edhe vendet kryesore të bllokut pasi Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë blerësit kryesor të mjaltit të prodhuar në mbarë botën.



