Ish-kryeministri sirian Mohammad al Jalali kritikon ashpër regjimin e ish-presidentit Bashar al Assad dhe klimën e kontrollit absolut të ushtruar nga ish-kreu i shtetit.
Jalali, duke folur për transmetuesin saudit “Al Arabiya/Al Hadath”, përshkroi një sistem në të cilin çdo vendim i qeverisë duhej të miratohej drejtpërdrejt nga Assadi, shpesh përmes komunikimeve telefonike.
“Direktivat e tij vinin vetëm me telefon dhe ne duhej t’i zbatonim pa i diskutuar”, tha ish-kryeministri, duke shtuar se në dy muajt që kaloi në qeveri ai ishte takuar vetëm dy herë me Assadin.
Jalali konfirmoi se qeveria e tij ia ka kaluar të gjitha dosjet qeverisë kalimtare, tashmë në detyrë.
Gjatë intervistës, ai shpjegoi se ishte përpjekur më kot të kontaktonte Assadin mëngjesin e së dielës së kaluar, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.
Ai e quajti partinë Baath, e cila ka qenë në pushtet në Siri për dekada, një “strukturë e çuditshme”, pa elaboruar më tej rreth këtij etiketimi.
As ai dhe as ministrat e qeverisë së tij nuk u vunë në arrest, por Jalali raportoi vështirësi në komunikimin me disa figura kyçe në ish-ekzekutivin.
Ministri i Brendshëm, Mohammed al Rahmoun dhe ai i Mbrojtjes, Ali Abbas, nuk janë të disponueshëm, ndërsa ministri i Transportit, Zouheir Khouzeim, duket se është larguar nga vendi.
Ndërkohë ministri i Jashtëm, Bassam Sabbagh, thuhet se ndodhet jashtë Damaskut dhe nuk ka marrë pjesë në takimet e fundit.



