Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume thotë se fleta e madhe e votimit, shpëtoi procesin zgjedhor.
Nga studio e “MCN Informacion” ai u shpreh se problemi më i madh është për Tiranën ku është dhe numri më i madh i kandidatëve për deputetë.
Por sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike për të arritur në fletën e votimit ku do të votojnë qytetarët më 11 maj, por nga ana tjetër një fletë e tillë shton kostot.
Ata që kanë ndërtuar rregullat, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, e detyruan KQZ në vendimin që duhet të merrte për fletën e votimit që të ketë emra.
E futën në ligj, siç për çdo gjë kanë dashur të bëjnë. Edhe për këtë gjë përdorën Kodin Zgjedhor, i cili vazhdon të mbajë një ngarkesë tjetër më shumë, që është një ngrehinë ligjore, jashtëzakonisht proceduriale.
Shumë procedura, shumë prej tyre të panevojshme. E detyruan KQZ të përdorë emra, dhe e shpëtuan procesin zgjedhor.
Ligji e detyron KQZ që në fletën e votimit të ketë informacionin me emër kandidatësh, kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme.
Problem i madh është për Tiranën, që ka 37 kandidatë. Me vendimin e dy të mëdhenjve, iu vështirësua puna partive të vogla, shto dhe faktin që në çdo tre emra duhet të jetë femër.
Imagjino se sa e vështirë është të bësh lista të tilla, që duhet ta mbushësh me emra, që nuk sjell ndonjë vlerë të shtuar në ecurinë e procesit.
Në krahasim me fletën e votimit që u përdor në 2021, kjo fletë votimi zvogëlon shanset që të gabosh.
Unë pres që në këto zgjedhje të ketë ulje të fletëve të votimit të pavlefshme. Se kështu siç është konceptuar e lehtëson zgjedhësin.
Zgjedhësi ka punë vetëm me kolonën, në ato zgjedhje kishte punë me rreshtin.
Pres që administrimi i kësaj flete votimi nga votuesi të mos sjellë probleme të mëdha në pavlefshmëri.
Një fletë e tillë votimi e rrit koston, plus që fletët e votimit nuk prodhohen këtu por jashtë.
Fletët e votimit janë kaq të mëdha pavarësisht sa emra ke. Të gjitha këto e rrisin kostot.
Të dy shënimet dhe për kandidatin dhe për subjektin do të jenë në të njëjtën kolonë.
Për të pasur rezultat më të shpejtë mund ti numërojmë fletët e votimit në qendrën e votimit.
Kume ngriti shqetësimin se ne nuk po shkojmë drejt teknologjisë në procesin zgjedhor, ashtu siç po bën e gjithë bota.



