Sipërmarrësi Endri Meksi, duke folur mbi MCN TV, media e themeluar prej tij, u shpreh se ajo nuk është një media agresive sikurse perceptohet nga disa njerëz.
Meksi vë në dukje se një prej arsyeve pse vendosi të themelonte një media është se perceptoi se në treg kishte hapësirë, dhe kishte dëshirë për të luftuar hipokrizinë e disa aktorëve që pretendojnë se dinë gjithçka.
Besoj se në 1 vit e gjysmë (MCN TV) ka zënë një farë pozicioni, po mban një farë stabiliteti. Pastaj koha do ta tregojë, nëse publiku na qëndron besnik, apo në rritje, akoma më mirë. Unë s’do ta quaja MCN-në agresive, pavarësisht se e kam dëgjuar nga njerëz të ndryshëm. Unë do e quaja që është korrekte dhe thotë disa të vërteta. Dhe në dëshirën time është që kështu të qëndrojë. Jo të ketë detyrimisht mision. Ky tangërlliku i personave të medias, për t’i vënë vetes mision, për të veshur një farë petku, të opozitarit, të misionarit, është shumë i mbivlerësuar. Për të bërë çudira do shumë punë, do kohën e vet, do edhe çik shans në disa tema që mund të dalin, nëse s’je pjesë e një klani. Fjala agresive është e tepërt, pavarësisht se perceptimi është i tillë. Ka pasur një farë fati, sepse tregu i medias ka pasur goxha lëvizje. Shumë veta thonin në 2021-shin kjo që po bën është marrëzi, tregu është i mbushur, koha tregoi që tregu pati lëvizje tektonike”.
Sipas Meksit është normale që një media private të mbrojë interesa të caktuara private. Lidhur me shembjen e hotel “Prestige” dhe raportimet e herëpashershme të News 24 mbi këtë ngjarje, Meksi thotë:
“Unë nuk shoh ndonjë turp të madh pse pronari i dedikoi median e vet interesave të tij. Ai është qytetar si të tjerët. Unë s’do e bëja që t’i dedikoja aq shumë energji një kauze që ishte deri në atë moment të humbur. Në fund fare si News 24 si MCN janë private. Apriori nëse mbrojnë një interes të caktuar, nuk shoh gjë të keqe. A thonë të vërtetën? A trillojnë? A fshehin? Kjo është tjetër gjë. Unë nuk shoh ndonjë turp që të ketë ndërhyrje. Gazetarët vet bëjnë ndërhyrje. Që ka ndërhyrje nga ana e pronarëve për interesa është e kot që unë t’i fsheh se dihet që ka. Shumë raste fliten. Po gazetarët vetë?!”.
I pyetur nëse e konsideron ende veten trampist, Meksi thotë: "Absolutisht po, vetëm për betejën që hapi në media. Ky lëmi i madh i hipokrizisë, ku u takon të mburren për të vërtetën 4-5 veta duhet të mbaronte”.
Meksi thotë se sot nuk mund të flasim për mision në media, pasi ka shumë interesa të ndërlidhura dhe të komplikuara. Duke u ndalur te futja në treg e MCN Tv dhe roli i supozuar i misionarit në gazetari, Meksi shton:
Rrugës perceptova që ka një hapësirë në treg, edhe pse aktorët thoshin që është treg i mbyllur. Edhe një farë dëshire për të luftuar këtë hipokrizinë, të mënyrës se si ca aktorë e trajtojnë këtë lojën permanente, që 'ne e dimë! ju jeni ca kafshë që nuk dini gjë!' Misioni im është t’ju lë ju të bëni misionin tuaj. Mendoj që një media është e shëndoshë në momentin kur një pjesë e mirë e aktorëve të saj, kanë një dozë lirie të mirë. Nuk po them që të tërë duhet të jenë 100 për qind të lirë, ky është mashtrim gjigant. Edhe sikur të mos kesh dëshirë për të mos ndërhyrë, të vijnë të pyesin. Pjesa e misionit ka qenë në një tjetër botë, në Luftën e Ftohtë, Murin e Berlinit, sot interesat janë shumë më të komplikuara dhe të ndërlidhura, që të thuash se ka një mision të pastër të medias”.



