Seanca e parë në GJKKO ndaj Ilir Meta është shtyrë për një datë tjetër, ndërsa zhvillimet në sallën e gjyqit janë shoqëruar me debate procedurale mes palëve.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 11 maj, në orën 12:00. Gjatë seancës, avokatja e Fatime Kryemadhit, nëna e Monika Kryemadhit, kërkoi ndërprerjen e saj, duke argumentuar se nuk disponon tagrat e nevojshme në prokurë për të kërkuar gjykim të shkurtuar.
Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi deklaroi se në shqyrtimin paraprak ishte vendosur që t’i viheshin në dispozicion akt-ekspertimi i telefonit të saj, si edhe përgjimet telefonike.
Prokurori konfirmoi se materialet janë përgatitur, por theksoi se ato nuk mund t’i dorëzohen avokatit për shkak të përmbajtjes me të dhëna personale. Sipas tij, vetë e pandehura mund të paraqitet në çdo moment për t’i tërhequr.
Pas shtyrjes së seancës, Kryemadhi u shpreh për mediat se çështja ndaj saj është ndërtuar mbi interpretime të pavërteta.
Ajo pretendoi se një mesazh ku shprehte dëshirën për të blerë një banesë është përdorur si provë për korrupsion, ndonëse më pas kishte ndryshuar mendim.
Sipas saj, pretendimet lidhen me një pronë të supozuar në zonën “Kodra e Diellit”, për të cilën ajo theksoi se nuk ekziston.
Çdo gjë është e ndërtuar si fabul, për të ndërtuar një iluzion optik, pavarësisht se mesazhet nuk përbënin vepër penale.
Prokuroria përdor një SMS ku unë them, dua të marr një shtëpi. Dhe më pas unë kthej mëndje. Dhe thonë është korrupsion.



