Ibrahimaj: Projekti në Zvërnec nuk është firmosur, kemi dhënë vetëm miratim të pjesshëm

Ibrahimaj: Projekti në Zvërnec nuk është firmosur, kemi dhënë vetëm miratim të pjesshëm

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se projekti për Zvërnecin nuk është miratuar ende, pasi versioni fillestar i paraqitur nga investitorët nuk përmbushte kriteret e kërkuara dhe prekte zonën e lagunës.

 

E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Ibrahimaj sqaroi se institucioni që ajo përfaqëson ka dhënë vetëm një miratim të pjesshëm për disa punime paraprake, me qëllim kryerjen e studimeve të nevojshme për hartimin e një projekti përfundimtar.

 

Projekti na është prezantuar, por nuk është miratuar pasi nuk i plotësonte kriteret. Ishte një projekt që prekte lagunën, prandaj ne e refuzuam. Projekti erdhi përsëri dhe ne kemi dhënë vetëm një miratim të pjesshëm për rrethimin dhe shtrimin e disa rrugëve provizore, në mënyrë që studiuesit të kryejnë studimet e nevojshme. Më pas do të vijojë puna për një projekt që do të jetë i miratuar dhe i diskutuar sipas standardeve. Ne nuk kemi një projekt të firmosur, por një projekt të dorëzuar që është kthyer mbrapsht për t’u përmirësuar. Qëllimi ynë është të kemi një zhvillim të qëndrueshëm.

 

Ministrja u ndal edhe te vlera ekonomike e investimit të propozuar, duke theksuar se bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme për ekonominë shqiptare.

 

Katër miliardë euro është vlera e projektit të parë të refuzuar nga investitorët. Është një vlerë e konsiderueshme, rreth 15% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Është një shumë e madhe që vjen dhe investohet në Shqipëri dhe nuk mund të anashkalohet. Sipas studimeve që kemi bërë për ekonominë shqiptare dhe sektorin e turizmit, çdo 1 lek i investuar gjeneron rreth 8 lekë përfitim. Ky është një efekt shumë i rëndësishëm ekonomik, që në një kohë relativisht të shpejtë sjell rritje të konsiderueshme të vlerës së investimit.

 

Sipas Ibrahimajt, projekti pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në punësim, si gjatë fazës së ndërtimit ashtu edhe pas përfundimit të tij.

 

Kjo përkthehet në vende pune. Bëhet fjalë për rreth 20 mijë vende pune të përkohshme, për njerëzit që do të angazhohen në ndërtimin e projektit, si dhe rreth 10 mijë vende pune të përhershme. Ky është një ndikim i rëndësishëm ekonomik dhe social për zonën dhe për vendin në tërësi”, deklaroi ministrja.

 

Duke iu përgjigjur shqetësimeve për ndikimin në mjedis, Ibrahimaj tha se investitorët nuk kanë interes të dëmtojnë natyrën, pasi ajo përbën vetë bazën e projektit.

 

Është e rëndësishme të kuptohet se një investim i një standardi të tillë, ku janë të angazhuar studiues të nivelit të lartë dhe investitorë me famë botërore, nuk ka interes të shkatërrojë natyrën. Përkundrazi, natyra është arsyeja pse ata kanë ardhur aty. Këto investime krijojnë standarde të reja që lidhen me cilësinë e ndërtimit, cilësinë e shërbimit dhe trajnimin e personave që do të punojnë në projekt. Janë standarde që do të ndikojnë pozitivisht edhe në zhvillimet e tjera turistike në vend.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy