Pompei do të kufizojë numrin e vizitorëve ditor në 20.000 dhe do të prezantojë bileta të personalizuara duke filluar nga java e ardhshme.
Gjithçka në përpjekje për të përballuar fluksin e turizmit dhe për të mbrojtur vendin e trashëgimisë botërore, thanë zyrtarët.
Këtë verë, një rekord prej 4 milionë njerëzish vizituan rrënojat e qytetit të lashtë romak, i cili u varros nën hi dhe shkëmb pas shpërthimit të malit Vezuvius 79 vite pas Krishtit.
Drejtori i parkut arkeologjik, Gabriel Zuchtriegel, tha se vizitorët në sitin kryesor aktualisht tejkalojnë një mesatare prej 15.000-20.000 çdo ditë dhe kufiri i ri ditor do të parandalonte rritjen e mëtejshme të numrave.
“Jemi duke punuar në një sërë projektesh për të hequr presionin njerëzor në vend, i cili mund të përbëjë rreziqe si për vizitorët ashtu edhe për trashëgiminë që është kaq unike dhe e brishtë,” tha Zuchtriegel.
Biletat për në park do të personalizohen nga data 15 nëntor, duke përfshirë emrat e plotë të vizitorëve.
Një maksimum prej 20.000 biletash do të lëshohen çdo ditë, me periudha kohore specifike gjatë verës.
Menaxherët e parkut po përpiqen të inkurajojnë turistët që të vizitojnë vende të tjera antike të lidhura me Pompein, duke përfshirë Stabiae, Oplontis dhe Boscoreale, duke ofruar një autobus falas në kuadër të projektit Greater Pompeii.
“Masat për menaxhimin e flukseve dhe sigurisë dhe personalizimi i vizitave janë pjesë e kësaj strategjie,” tha Zuchtriegel.
Synojmë një turizëm të ngadaltë, të qëndrueshëm, të këndshëm dhe jo masiv dhe mbi të gjitha të përhapur në të gjithë territorin përreth zonës së UNESCO-s, e cila është plot me xhevahire kulturore për t’u zbuluar.
Në prill, Venecia u bë qyteti i parë turistik i madh në botë që reagoi ndaj fluksit të turistëve.
Taksa prej 5 euro, e cila aplikohej në 29 ditët e pikut dhe përfundoi në korrik, ishte një përgjigje emergjente nga autoritetet lokale për të shmangur përfshirjen e vendit të trashëgimisë së UNESCO-s në listën e zezë.



