Psikologia klinike Destemona Çelo shprehet se mjedisi brenda mureve të shtëpisë, mjedisi i jashtëm si lagja apo shkolla mund të ndikojnë tek fëmija, duke përmendur një traumë psikologjike, dhunën fizike apo psikologjike të prindërve, apo edhe bullizimi në shkollë apo shoqëri.
Për “MCN Informacion”, Çelo u shpreh se së kohëve të fundit është shtuar edhe bullizmi kibernetik në rrjetet sociale, ku fëmijët ndjejnë lirinë për tu përballur me njeri tjetrin dhe për tu bërë të ndihen keq me njeri tjetrin.
Sipas saj, janë një sërë faktorësh që mund ta shtyjnë një fëmijë apo adoleshent drejt vetëvrasjes.
Adoleshentët kanë problematika me perceptimin e imazhit të tyre, për të patur linja perfektë.
Ata mundohen për të qenë dikush tjetër, duke marrë role me individë dhe modele që nuk kanë ngjashmëri me ta.
Kjo manifestohet më pas me gjendje depresive dhe ankthi, se është e dukshme se nuk mund të jenë si një model apo aktor që ka një jetë tjetër dhe dinamika jete të tjera.
Në këtë proces ndikon mjedisi familjar dhe shoqëria dhe një frikë ekzistencialiste që është e përhapur, që është frika e vdekjes.
Kjo frikë aktivizohet tek të gjithë individët në fazat e ndryshme të jetës.
Te adoleshentët aktivizohet më shpesh se mendojnë se kanë shumë gjëra që nuk i kanë jetuar.
Krijojnë mendime irracionale për një sëmundje në trupin e tyre, apo një aksident dhe mund të vdesin.
Kjo lidhet me dinamikat familjare dhe gjithë mjedisin shoqëror që nuk u jep mundësinë adoleshentëve që të ecin me hapin e tyre.
Të gjithë jemi të destinuar të kemi problematikë të shëndeti mendor nëse nuk kujdesemi për të, më vulnerabël mund të jenë adoleshentët dhe të moshuarit.
Adoleshentët i manifestojnë më shumë se përballen me sfidat e moshës.
Ndër simptomat janë se mund të flenë shumë gjumë, izolohen dhe heqin dorë nga shumë aktivitete që i kanë pasur shumë dëshirë dhe i bënin me qejf.
Agresiviteti i shtuar, të qarët, rebelizmi i shtuar, janë këto sjellje të tepërta që sinjalizojnë problematikat e shëndetin mendor.
Për fëmijët e vegjël rastet referohen nga prindërit.



