
Elvin Meka, dekan i fakultetit të Ekonomisë në UET deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e emisionit “MCN Economy” se kthimi i siguruar nga obligacionet e lëshuara nga shoqëria “NOA” është sa dyfishi i asaj që mund të sigurojnë letrat me vlerë të qeverisë.
Letrat me vlerë të qeverisë kanë pjesën e vet të rrezikut në treg. Qeveria në raport me çdo subjekt tjetër në treg ka avantazh sa i përket rrezikut dhe sigurisë. Biznesi mban dhe riskun e mbylljes dhe falimentit. Në rastin e qeverisë nuk e kemi. Kjo nuk penguar asnjëherë sipërmarrësit, investitorët, qoftë jashtë Shqipërisë, por edhe brenda vendit të guxojnë të investojnë në instrumente ndryshe nga ato të shtetit ose qeveri. E para për shkak se kthimi i siguruar prej tyre është dukshëm më i lartë sesa në rastin e investimit të letrave me vlerë të qeverisë. Nëse do marrim rastin konkret të obligacioneve me ofertë publike të shoqërisë financiare “NOA” ato janë dukshëm më të larta për afatin e maturimit që kanë, 5 vjet me një kupon 5%. Nëse e krahasojmë me instrumente të ngjashme të letrave me vlerë të qeverisë është dy herë më lart, kthimi është i kënaqshëm gjykuar nga niveli i rreziqeve që manifestohet për një institucion të tillë dhe për rrezikun e të bërit biznes në Shqipëri. Ky marzh është i lartë, shërben jo vetëm për mbulimin e rreziqeve shtesë që një sipërmarrje private ka në raport me letrat me vlerë të qeverisë, por siguron dhe një vlerë ekstra për investitorët. Fakti që oferta është blerë për 2-3 ditë tregon interes të lartë nga investitorët.
Edhe në Shqipëri ajo që po ndodh ajo që ndodh në çdo treg të letrave me vlerë ku aktorë apo investitorë institucionalë apo privat shtrijnë në përputhje me teorinë moderne të portofolit blerjet apo pronësinë edhe me letra me vlerë ndryshe nga ato të qeverisë. Tregu nuk është pronë e instrumenteve qeveritare. Pjesa më e madhe e instrumenteve që duhet të jenë prezentë në treg duhet të vijnë nga sipërmarrja private.



